Me vargjet e Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

VIXI

Unë jetova.
Jo thjesht frymova, por jetova.
Me mish e me shpirt.
Me gjakun që përndizej nga ëndrrat.
Është koha të iki…
Para rrjedhës së jetës përkulem.
Ashtu siç erdha, tani po shkoj.
Duarbosh e zemërplot.

Shpirti im ndjeu gjithçka:
bekimet më të ëmbla
dhembjet më të mprehta
ngasje mëkatesh biblike
halle që më rënduan shpinën
peshë që më shtrëngonte gjoksin
virtyte që ma hijeshuan ballin.
Jeta, ndonjëherë më duartrokiti.
E të tjera herë më përplasi pa mëshirë.
E ndjeva ferrin,
kur zemra më thyhej në heshtje.
E preka parajsën,
kur dikush më deshi pa kushte.
Çdo dashuri më la një shenjë.
Disa më shëruan, më bënë me krahë,
disa më bënë njeri.
Buzëqesha, edhe kur lotët më ishin tharë.
Vrapova pas dritës,
edhe kur nata më përndiqte.
U rrëzova në heshtje,
askush nuk dëgjoi britmën time.
Por prapë… mbijetova.
Secila vuajtje më mësoi një të vërtetë.
Çdo njeri që hyri e doli nga jeta ime
ishte një mësim, një pasqyrë, një kujtim.
Veç humbja më tregoi vlerën.
Po iki…
Jo nga frika, as nga dorëzimi,
por nga pranimi.
Kam bërë paqe me veten,
me jetën time.
S’kam qenë e përsosur,
as kam dashur ndonjëherë të jem.
Por kam qenë e vërtetë, njerëzore.