Yllka Mërkuri
Nata në Ballkon
Një gotë vere dua të pi,
bashkë me një cigare, ta ndez,
të dal në këtë natë të thellë,
dhe yjet aty lart t’i sodis.
Me sy kërkoj mes qindrash,
mes mijëra yjesh që shndrisin,
dhe ti, mes tyre vezullon,
ndriçon fort, në këtë natë të errët.
Gëzuar, i dashur, nga ky ballkon,
ku vuajtja ka lënë plagë,
ajo plagë që ka vënë kore,
kore që mbulon çdo cep të shpirtit.
Cigarja digjet ngadalë,
në ajrin e natës që e ndjej të ftohtë,
po ti, i dashur, ke mbetur aty,
ndërsa unë, e vetmuar, nuk mund ta pi,
se për ty po të pres, në këtë natë të gjatë!