FJOLLA MUHAXHIRI AGUSHOLLI
Pika në letrën e humbur
Në një dhomë të ngrohtë shtëpie, në heshtjen që mbushte muret, në një pasdite të një fund Vere, ulur pranë dritares, një nënë dhe vajza e saj, ndanin momente të çmuara së bashku. Drita e Diellit depërtonte përmes perdeve të lehta, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe të dashur. Biseda e tyre ishte si valë të lehta që përqafonin kujtime e ëndrra. Vajza, me sytë plot shpresë dhe ambicjet e mëdha që i mbushnin shikimin me një dritë të çuditshme, shikonte nënën me një thellësi që nuk mund të përshkruhej me fjalë. Por papritur, ajo dritë në sytë e vajzës filloi të zbehej. Një copëz errësire ju shpërnda si hije në horizontin e shpirtit të saj. Në dhomën ku Dielli lodhej të hynte përmes perdes, zëri i vajzës u drodh si fije zëri në erë. Vajza: mami… është diçka që nuk po e shoh mirë… dritarja… po bëhet mjegull. Nëna, ngriti sytë me shqetësim. Mbase je lodhur, zemra ime. Eja, ulu pak, mbylli sytë… do kalojë. Vajza: jo, mami. Nuk është lodhje. Po… po errësohet gjithçka. E shoh fytyrën tënde si hije… dhe pastaj… asgjë. Ajo vendosi duart mbi sytë. Heshtja u bë më e rëndë se ajri. Nëna ju afrua me trup që dridhej. Nëna foli me zë të ulët, mos më frikëso, bijë. Je ende këtu… më ndjen? Vajza: po… po të ndjej, por nuk të shoh më, nënë. Një psherëtimë u derdh në dhomë si një britmë pa zë. Nëna e përqafoi vajzën, duke e mbështetur kokën mbi kraharorin e saj. Nëna, pastaj zëmekur i foli të bijës: edhe sikur bota të fshijë dritën, unë do të jam Hëna jote. Do të të mësoj të shohësh me duar, me zemër, me frymë. Kaluan ditë të vështira. Vajza mërzitej, tërhiqej në veten e saj. Por një pasdite, duke prekur faqen e nënës, ajo foli. Vajza: a e di, mami? Sytë vërtetë tani më mungojnë, por nuk ndjej më frikë. Sepse drita jote më mëson të shoh ndryshe. Nëna, me zë të qetë, krenare ju drejtua të bijës duke i thënë: zemra ime, e shtrejta ime, ti e ke gjetur dritën tënde. Dritën që nuk shuhet kurrë. Dhe kështu, nëna dhe vajza, të dyja të forta në shpirt dhe zemër, vazhduan udhëtimin e tyre, aspak të lehtë, por jo të pa kalueshëm. Njëra duke mbajtur dritën për tjetrën, kurse tjetra duke mësuar të shohë me zemër. Ditët që pasuan u mbushën me lot, lutje dhe mësime të reja. Vajza mësoi të ecë në errësirë, të kërkojë dritën përtej syve. Nëna u bë sytë e saj, rruga e saj, forca e saj. Ato të dyja ecën dorë për dore nëpër labirintet e dhimbjes, derisa vajza kuptoi se kishte një tjetër mënyrë për të parë botën. Një ditë, në heshtjen e dhomës, me një celular i cili kishte njësinë folëse për të verbër, vajza nisi të shkruajë një mesazh për jetën: “Unë nuk e shoh më botën si dikur. Por e ndiej thellë. E shoh me kujtesë, me zemër, me aromë, me zërin tënd nënë. Errësira nuk më rrëzoi. Ajo më mësoi të ndriçoj vetë.” Nëna e dëgjonte nga dera, me duar që i dridheshin e sy që i lotonin. Ishte dhimbje, po edhe krenari. Ishte plagë, por edhe lulëzim. Në fund, vajza e mori për dore dhe i tha: Mos më mëshiro Mami të lutem. Sepse nuk jam një pa vlerë. Jam vetëm ndryshe. Dhe ne të dyja do të ecim bashkë, edhe në errësirë. Sepse nuk ka natë që nuk e gjen dritën e vet, nëse mban shpresë brenda vetes. Dhe atë natë, për herë të parë, vajza kërkoi që të dalin bashkë në park. Nëna e mbante për krahu, por vajza ecte me hap më të sigurt. Preku pemët, dëgjoi zogjtë, nuhati barin e lagur. Vajza: mami… më duket sikur shoh! Nëna me zë të dridhur ja ktheu të bijës: Po, bija ime… sepse e sheh me shpirtin tënd të pastër. Ditët që pasuan ishin të mbushura me sfida dhe emocione të forta. Nëna u bë udhërrëfyesja e vajzës në botën e errësirës, duke e ndihmuar të mësojë të ecë përpara, të ndjejë me shpirt dhe të kuptojë përmes zërit dhe prekjes. Vajza: mami, edhe pse nuk shoh më, ndjej praninë tënde më shumë se kurrë. Zëri yt është drita ime. Nëna me lot në sy: ti je e fortë, bija ime. Drita jote vjen nga brenda. Me kalimin e kohës, vajza filloi të shkruajë përvojat e saj në një ditar, duke përdorur celularin e saj me ndihmën e njësisë folëse në ekran lexues. Fjalët e saj ishin të mbushura me ndjenja, shpresë dhe forcë. Vajza duke lexuar nga ditari: errësira më mësoi të shoh me zemër. Nëna ime është drita që më udhëheq në çdo hap. Nëna: e prekur thellësisht nga fjalët e vajzës, ndjeu një krenari të madhe për forcën dhe guximin e saj. Nëna: më në fund e lehtësuar paksa nga dhimbja që e mbante të tulatur në shpirtin e saj, ju drejtua vajzës me një buzëqeshje që herë herë i dridhej, pak nga frika, por më shumë nga krenaria për vajzën e saj, duke i thënë: ti je inspirimi im, bija ime. Së bashku, do të vazhdojmë të ecim përpara, duke gjetur dritën në çdo errësirë. Ky tregim është një dëshmi e dashurisë së pakushtëzuar mes një nëne dhe vajzës së saj, por edhe e forcës që lind nga përballja me sfidat më të mëdha të jetës.