Mbrëmje poetike me Trandafile Malshi

Trandafile Malshi

I DASHTUN ATË

I dashtun ATË!
Na u kthyem ,erdhëm sërish,
Flatrash u nalëm, flurimë,
Në gurt’ e shpisë së moçme,
Ngrehinë, mes eshtnave të kohës,
Atij viti të largët, 1954.

E di se vorri tu ba fort i randë.
Kur na shkum nga rranjët tona.
Çdo cep të shpisë e kaplonte rënkimi,
Brenga dhe malli.

Po ta dish, sa zor pati shpirti,
Se rrugt’ na u zunë.
Jeta, njerezit a s’di prej kujt.
Eh, ç’rëndësi ka tash mà!

I dashtun ATË!
Noshta na kishe pà kur shkuam.
E di se mbete i shtangun mallit,
Me sy të venitun nga shpia.
Te ato gur carani që i çove peshë,
Me munin tan, me lot e djersë.

Sokoleshë, tan duresë,
Na priti shpia e moçme,
E bekumja, gurt’ e malit, pishat.
Bodrumet e heshtuna të kujtesës,
Qi rujnë do fjalë t’idhta.

Lumi besnik ruan,
Të àmblat a të hidhunat kujtime.
Do stihi që desh na helmuen,
Dhe për pak qenë tu na përmbysë.

Por jo, i dashtun ATË,
S’na përmbysën dot.
Se u bamë ma t’fortë pengesash.
Dhe fort u kapëm dore më dorë.
Bashkë u pengum, sa herë u rrzum.
Po bashkë u ngritëm
Mbi ura rrebeshesh kalum.

E sot ?!
Diellin e shohim në sy.
E hapin e hedhim të bukur.
Se përkrah patëm fjalën e mirë,
Lutjen dhe besimin që na ushqeve, o ATË!
Se Zoti, veç Zoti i Madh,
I di dhe i mbaron punët e tija.

KITARA E VOGËL

Aty në heshtje, në cep të odës,
Kitara e vogël me tingujt krejt gjallni.
Tash krejt, pluhni e ka mbulu.
Mà nuk nigjohet, ku humbi se di!

Në skutat e thella sa tinguj shpërndau.
Kitarë me gjuhën e saj flet.
Aty ku kujtesa mblidhet.
Mes mallesh shpirtvalë mbet.

Kitarë e bukur, mbështetur rri.
Mbi dorën që tinguj përkëdhel.
Në andjen e shpirtit na fton përherë.
Plot mall e nostalgji nga gjiri yt del.

Akorde plot dhimbje u luajtën aty,
Për ëndrra që u tretën në mjegull.
Për zëra që u përhumben atje tej,
Për shpresa që u përpëliten nëpër terr.

Vallëzonin tingujt tan trishtim e lot,
Duke kriju të trishtën simfoni.
Aty ku mungon prania jote sot,
Aty ku flenë mijëra poezi

Me frymën e krejt botës,
Do ngjasonte qenie e saj.
E di se po të mungonte,
Gëzimi do shndërrohej në vaj.

Moj kitare e vogël, e vramè!
Që dhembjet mrena vedit mban.
Mos fshaj se tingujt mi nxjerr zvarrë.
E mu në mes t’shpirtit, ke me m’vra.
Ti moj kitarë!