Mbrëmje poetike me Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Retë

Re rrumbullake. Re pupëlore.
Re të pambukta, mbi tokë hedhin valle.

Re që rizgjojnë iluzionet e qiellit,
re që vishen me rrezet e diellit.

Re që shijohen si karamele,
re që të mbysin si dëshpërimi.

Re fluturuese si tullumbace të bardha,
që qeshin, lazdrohen me horizontin.

Re të dëlira si shpirtra të paqtë,
ku engjëjt prehen dhe luajnë në harpë.
Shtëllunga kujtimesh që enden në qiell.
Ngujuar në lutjen e zemrës së bjerrë.