Razije Hoxha
Tjetra
Unë doja të isha për ty,
e vetmja,mbretëresha.
Mbrëmjeve përkrah teje,
më shumë se yjet të shkëlqeja.
Dhe mëngjeseve,
më e bukura lule,
të çelesha.
Tani…tjetra ti merr përqafimet,
puthjet e zjarrta.
Unë rri vetmuar,
si trumcaku i vogël,
në ditët e acarta.
Tjetra t’i shuan,
zjarret djaloshare.
Unë,zogu i vogël,
atje jashtë,
pas asaj,dritare.
Tjetra me ty,
gëzon e krenohet!
Unë zogu i vogël,
atje jashtë,
që ftohet!
Dhe jashtë fryn tufani,
pa mëshirë.
Zogu i vogël vdiq!
Por zemra e tij,
ende rreh e nxehtë,
dhe kurrë s’ka për të ngrirë.
Shokë
Ne jemi shokë!
Për dy të dashuruar,
sa fjalë e hidhur!
Fjalë që duart,shpirtrat,
me pranga na i ka lidhur!
Shokë!
Ne jemi shokë!
Por shokë të dashuruar!
Pse qielli ende s’ka rënë?!
Pse toka s’është rrënuar?!
Shokë!
Oh, shokë!
Kjo fjalë qëndron mes nesh,
si mur i akullt,
si mur i ftohtë!
Shokë!
Dhe dashuria mes nesh,
endet si e marrë!
Sa na ka munduar kjo lojë!
Sa na ka lodhur kjo barrë.
Shokë!
Kjo fjalë,
na e ka dënuar përjetësisht dashurinë,
që tërë jetën,
ta mbajmë atë mbi supe,
mbi shpinë!



