E diela poetike me Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Shkëlqimi i lotusit

Në heshtjen e agut, lundroj pa zë,
mbi ujëra të qeta ku shpirti çel,
si lule lotusi, nën dritën e re.
Zgjimi s’është fjalë, por frymë që ndjell…
Rrezet shpërndan në dhjetëra lule,
si fjalë të pashkruara në gjuhën e dritës.
Dhe zgjohen ëndrrat, që flenë në thellësi,
dëshirat që digjen brenda zemrës.
Vetmitë përndizen si qirinj të shenjtë,
në tempuj të errët, ku heshtja falet.
Çdo lule një shëlbim, një udhë e fshehtë,
ku shpirti lundron i fortë, i lehtë.
Një udhëtim pa harta, pa kufij,
veç shkëlqimi i lotusit i pandalimtë.
Çdo hap një zgjim – çdo frymë, një fillim,
në dritën që nga thelbi lind.