Momente poetike me Fatmir Terziu: Këtu. Atje. Kudo

Fatmir Terziu
Këtu. Atje. Kudo
(Djaloshi në këtë fotografi, ndoshta nuk e mendonte atëherë, mes shkrepjes së saj, një ditë si kjo do të shkruante në një moshë tjetër, sigurisht më të rritur: Këtu. Atje. Kudo.
1. KËTU
Unë nuk di të hedh gurë
largohem nga gurëhedhësit e historisë
dhe lapsmprehtët më njohin si të lapsit,
edhe pse kam shkruar me gurë këtu,
pikërisht në majë të malit,
këtu.
2. ATJE
Këpucët e mia të fëmijërisë janë grisur,
ushqejnë kërma nën erozion,
mbajnë mbi supe apartamente, vila luksoze,
ndërtesa të reja me okazion,
me lidhëset e vjetra mbajnë lidhur fidanët e rrinj,
turistët bëjnë gërmime arkeologjike në foto dixhitale,
për këpucët e fëmijërisë sime asgjë nuk dinë,
nëse ua hapin gojën do të jetë fatale,
për vetë fëmijërinë.
Unë kam lënë vetëm një shënim,
ai është i thjeshtë flet në gjuhën e tyre pa përtesë,
nëse doni të mësoni, mos u mundoni me shkrim,
nuk kanë lidhje me këtë adresë.
3. KUDO
Janë shumuar kafazet për gardelinat e sojin e tyre,
ua kanë rritur çmimin,
për hir të izolimit të vetmive.