Nga Gladiola Jorbus
Përparësi dhe disavantazh
Në të gjitha aspektet e jetës, qoftë në punë, në marrëdhënie, në teknologji apo në vendimmarrje, ekziston një ekuilibër midis përparësive dhe disavantazheve. Asgjë nuk është vetëm e mirë apo vetëm e keqe. Çdo zgjedhje sjell me vete fitime, por edhe kosto që duhet t’i pranojmë. Në të folurën e përditshme shpesh përdorim fjalën “disavantazh”, e cila është huazim nga gjuha frënge. Megjithatë, shqipja ka fjalë të sakta që mund ta zëvendësojnë atë si: mangësi, dobësi, apo e metë, në varësi të kontekstit. Përdorimi i këtyre fjalëve i jep gjuhës sonë më shumë pastërti. Në fakt, çdo gjë që sjell përfitim, sjell edhe kufizim. Marrim rastin e teknologjisë, e cila na e lehtëson jetën dhe komunikimin, por na distancon nga realiteti. Puna nga shtëpia ofron komoditet, por sjell vetmi dhe mungesë bashkëpunimi. Edhe vendimet që marrim me bindje të plotë, me kalimin e kohës, do të na shfaqin aspekte që s’ i kishim parashikuar. Të pranosh se gjithçka ka dy anë është shenjë pjekurie. Na ndihmon të mos idealizojmë, dhe të mos nënvlerësojmë, por të shohim si përparësitë ashtu edhe mangësitë e një situate. Pra të mendojmë dhe të veprojmë me mençuri duke balancuar gjithçka. Në fund të fundit, asgjë s’ është perfekte. Secila zgjedhje, sado e duhura të jetë do të karakterizohet nga ndonjë mangësi. Ka vetëm zgjedhje të përshtatshme për ne, për vlerat dhe rrethanat tona. Vetëm duke u pajtuar me këtë fakt, jeta do të bëhej më e lehtë dhe më e lundrueshme.