Caste poetike me Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Në sytë e tu

Në sytë e tu prehen
copëza qiejsh të bruztë,
si pasqyrim i një simfonie të heshtur.
Brenda tyre, lërmë të endem pa cak,
të kridhem në thellësinë e qenies sate,
e fryma ime të bëhet jehonë.

Pa ty, jam e brishtë si flluskë sapuni,
një pasqyrë kristali e shkërmoqur nga mungesa.
Në copëzat e saj, rikthehem tek brezi i humbur:
te Remarku dhe librat e tij të trishtuar,
ku të gjithë lexuan, se njeriu pa dashuri
është si kufomë që shkon me leje.

Flokët e mi vallëzojnë pareshtur
me dhembjen delirante
të një balade të syrgjynosur,
në terrin e një ankthi dehës.

S’kërkoj tjetër,
veçse të marr frymë, mbi sytë e tu.
Vetëm një çast…

Një çast sa një jetë,
një jetë sa një përjetësi.