E marta poetike me Valbona R. Hadri

Valbona R.i Hadri

Monolog me vetën

Një ditë i thashë vetës: “Rebelohu!”
Kundërshto, pa arsye, me guxim prej gruaje vetëm për tu ndjerë se je e gjallë .Pêrditshmëritë janê gjithmonë tê bezdisshme
Dhe e bëra.
Një mike e imja kalonte urën me qetësinë e zakonshme të mëngjeseve, e unë, pa arsye, e lashë të kalojë pa përshëndetje, pa buzëqeshje.
Në sytë e saj pashë habi, pastaj dhembje.
Ajo heshti, por heshtja e saj më foli më shumë se çdo qortim:
“Nuk e njoh kështu këtë njeri,” dukej se më thoshte në heshtje.
Atëherë kuptova se ndonjëherë, fjala e pashprehur ndëshkon më shumë se fjalët e thëna.
Më vonë, kur jeta më vuri përballë një tjetër situate, vendosa të jem e kundërta — një engjëll në vendin ku duhej ndoshta të heshtja.
Zgjata dorën aty ku s’kishte nevojë, dhashë ngrohtësi aty ku mungonte mirënjohja.
Por sërish, u ndava e përbuzur.
Mirësia ime u keqkuptua, u pa si dobësi, si marrëzi.
Si dritë që ndriçon në vend të gabuar. Eca gjatë me kokën ulur, me shpirtin e mbushur me pyetje.
Analizova të dy skajet e vetës sime: rebelimin dhe përulësinë.
Asnjëri s’më përkonte.
Të dy më lanë bosh, si dy hije që më rrethojnë pa më njohur.
Në thellësi ndjeva një tronditje — jo trupore, por shpirtërore.
Ishte shenjë se diçka brenda meje po kundërshtonte atë që po bëhesha. Pastaj qava.
O Zot i madhërishëm , qava me zë, deri sa lotët m’u bënë si mure që s’më linin të dëgjoja botën.
Një rënqethje më përshkoi trupin — si një zë hyjnor që më përplaste përballë së vërtetës.
Atëherë thashë:
Unë s’duhet të bëj diçka që s’jam. Duhet të jem ajo që jam — me dritën dhe errësirën time, me forcën dhe brishtësinë time.
Sepse liria ime nuk qëndron në rebelim dhe as në përulje —
por në qëndrimin tim të ndershëm përballë vetës.
Unë s’dua të jem e përsosur, dua të jem e vërtetë.
Edhe kur kjo më kushton me heshtje, me ftohtësi, apo me keqkuptim.
Dhe kështu, nën dritën e zbehtë të ndërgjegjes,
bëra paqe me Vetën time.
E lashë të flasë zemrën — pa frikë, pa maskë —
sepse vetëm ajo di rrugën drejt qetësisë së shpirtit tim.

Forca e njeriut qëndron te vetja jo te maska që provon ndonjëherë t’ia mvesh vetës.