Me poetin Albert HABAZAJ

Albert HABAZAJ

KËNGA LABE

Që kur lindi lab i parë
( Nuk dihet se kur ka lindur),
Në hall të tij – faqebardhë
Me këngë labe është rritur.
Që kur lindi lab i parë
Në krahë të tij labëresha,
Kënga rrodhi si ujëvarë
Gurrë shpirti, siç e desha.
Në këngë u ndritën gëzimet
Me çfarë kishin në vatër,
Me këng’ labe qanë hidhërimet
Edhe me malet u matën.
Kënga si qiri në vatër
Kënga në shpirt si floriri,
Pika e ujit të pastër
Qumështi i bardhë i gjirit.
Kënga që më mësoi gjyshja
Më ngjan si shqiponjë mbi male,
Nëna, baba, … dallëndyshja
Më rritën me këngë labe.