Elvira Zeneli
Vendi im
Nëse në ëndërr të kam ardhur, vendi im,
mos u çudit, malli më sjell tek ti.
Dhe nëse ndjen një dorë që të zgjon,
mos u zgjo…
vazhdo të flesh,
se edhe gjumi të do si unë.
Nëse në ëndërr të kam ardhur, vendi im,
do ta kesh nga malli, jo nga rasti.
Mos u zgjo, edhe nëse agimi vjen,
fli me mua dhe pak,
derisa dita të marrë frymë.
Nëse në ëndërr ke një botë tjetër,
atë botë e dua unë me gjithë shpirt.
Dua ta zgjoj atë kohë të vjetër,
se ndoshta ende rri në prag,
me gjumin e lehtë të dashurisë.
Atëherë zgjohu ti, o qyteti im i vjetër,
zgjohu nga gjumi i gjatë e i lodhur.
Thuaju njerëzve se je gjallë vërtet,
kur dashuria rrjedh nëpër muret e tua.
Zgjohu, e lumin lëre të rrjedh,
dallga e dashurisë le të të përqafojë.
Hidhe tej pardesynë e politikës,
dhe thuaji botës me zë të qetë:
Unë di të rroj, kur dashuroj.
Dashurohu, vendi im,
me mua e me lumin,
me erën që mbart aromën e gurëve të tu.
Nëse do ketë kurorë për Mbretin,
le ta heq
dhe ta vendosësh vetëm ti.



