Caste poetike me Adifete Shiti

Adifete Shiti

Nostalgji

Një fotografi, dhe m’u zgjuan vitet
ato që i lamë pas si ëndrra në diell,
ku koha ecte ngadalë, pa ngut,
dhe zemra na rrihte me ritmin e shpirtit të kthjellët.

Ishim ne – të qeshur, të lirë,
me sytë plot shpresë e zemrat flakë,
çdo ditë një copëz mrekullie,
çdo natë një premtim që s’na lë në pah.

Një peizazh i pikturuar me kujtime,
me ngjyra që sot i gjej vetëm në mendje,
me aromën e kafesë së mëngjesit,
e zërin tënd që më thoshte: “Kjo jetë është e jona.”

Aty gjeta pak ëmbëlsi,
si sheqer mbi kujtimet që nuk treten,
ca dashuri të vjetra, por ende të gjalla,
si yje që ndizen kur nata zemrën e shpalos.

Nostalgjia s’është veç dhimbje e heshtur,
është dëshmi që kemi jetuar vërtet,
dhe ajo fotografi…mbeti një derë
ku kthehem kur dua të jem sërish me ty.