Vargje poetike nga Migel Flor

Migel Flor

Dielli që përzuri tetorin

Dielli u ngrit si mbret mbi re,
me mantelin e artë, pa asnjë njollë,
tetori u fsheh, s’e mbajti më veten,
u tret si mjegull në ndonjë lëndinë.

Gjethet që binin, s’u ndjenë më fare,
era s’e gjeti më këngën e vet,
në dritën e fortë, çdo frymë ngjalli hare,
si të vinte përsëri një prill i vërtetë.

Dhe njerëzit qeshnin, “se akoma është verë”,
në kafe, në rrugë, në çdo qoshe të vogël,
por diku në hije, në zemër të brendshme,
tetori vajtonte me shi të hollë.

O diell, pse kaq zjarr në fund të stinës?
Pse përzë vjeshtën me rreze të forta?
Ndoshta sepse dhe dashuritë,
s’duan të shuhen, as kur koha i thërret të ftohta.

Kur flas me një yll!

Kur flas me një yll, nuk kërkoj përgjigje,
kërkoj kuptim.
Në heshtjen e tij ndiej një mençuri të lashtë,
si të më fliste vetë koha për brishtësinë e njeriut.

Ai më shikon pa sy,
por më sheh më thellë se çdo njeri.
Në dritën e tij të ftohtë gjej ngrohtësi,
sepse ajo s’është trup, por vetëdije.

Kur flas me një yll, kuptoj sa pak jemi,
grimca që ndizen për një çast,
pastaj treten në përjetësi,
duke lënë vetëm dritën e kujtesës.

Ylli më mëson se çdo humbje është kalim,
çdo heshtje është përgjigje,
dhe çdo shikim drejt qiellit
është një lutje që s’e dimë se e bëjmë.

Në fund, kur nata bie mbi mendjen time,
unë buzëqesh,
sepse e di:
nuk jam as pluhur, as hije…
jam vetëm një tjetër yll që flet me heshtjen.