Erinda Medolli
Edhe në errësirë njeriut mund ti mbetet dritë
Biografi e shkurtër për Fejzi Zenelak
Fejzi Zenelak lindi më 29 shtator 1946, në fshatin Ponçarë të Devollit, një trevë e njohur për dashurinë ndaj dijes dhe traditave të forta shpirtërore. Që në vegjëli, ai shfaqi një pasion të thellë për letërsinë, por nxitjen më të madhe për t’u përkushtuar ndaj saj e mori në rrethana të vështira – në muret e errëta të qelisë, ku ndau ditët dhe netët me njerëz të ditur e intelektualë që ia hapën dritaret e kulturës dhe të leximit. Ai shpesh thotë se leximi ishte ushqimi i shpirtit të tij, dhe gjatë atyre viteve lexoi mbi 200 romane, duke zgjeruar horizontin mendor e shpirtëror dhe duke arritur një pjekuri të rrallë artistike. Në rininë e hershme, i shtyrë nga vështirësitë e kohës dhe dëshira për liri, Fejziu kishte biseduar me disa shokë për t’u arratisur nga vendi. Megjithatë, duke menduar për pasojat që mund të binin mbi familjet e tyre, ata e braktisën këtë ide. Pavarësisht kësaj, Sigurimi i Shtetit mësoi për bisedat e tyre dhe e arrestoi. Vetëm 17 vjeç, Fejziu u dënua me 8 vite burg për tentativë arratisjeje. Ai vuajti dënimin në kampin e Laçit, në fabrikën e çimentos në Elbasan, dhe në Spaç – vende ku vuajtja, por edhe qëndresa njerëzore, u shndërruan për të në mësim jete dhe në burim frymëzimi. U lirua në vitin 1971, duke dalë prej ferrit të burgjeve me shpirtin e fortë dhe me dashurinë për librin edhe më të pashuar. Më vonë, Fejzi Zenelak do të shndërrohej në autor të tre vëllimeve letrare, që përbëjnë një dëshmi të ndjeshme të jetës, kujtesës dhe shpirtit njerëzor: 1. Sa shpejt ikën vitet 2. Korçë, ora zero 3. Manarkua i vogël Në veprat e tij ndihen përvoja, reflektimet dhe dhimbjet e një brezi që u përball me padrejtësinë, por që nuk humbi kurrë besimin te njeriu dhe te drita e dijes. Letërsia për Fejzi Zenelakun është kujtesë, shpërblim dhe mbijetesë shpirtërore — një mënyrë për të dëshmuar se edhe në errësirë, njeriu mund të mbetet dritë.
Filluan fletët të verdhen
Filluan fletët të verdhen,
Mbas pak do bien të gjitha,
Dhe shpendët braktisin çerdhet,
Po bëhen gati të ikën…
Shiu mezi kish pritur
Mjegulla varur, nderë,
Kërpullat pa mbiellë, ritur,
Të vetmet që shpëthejnë.
Bari i tharë prej kohësh
Mundohet të mbijë sërish,
Por jetën e ka të shkurtër,
Se bryma e djeg, e prish.
E gjithë zona po zhvishet,
Kur pa??!! Tani që do ngrijë,
Nisën njërzit të vishen,
Po bëhen gati për dimër.
Nata u gdhi pa një re,
I ftohti u fut në jatak,
Bryma e parë u nde,
E bardhë, e idhur farmak…
Triliona të më japin
Kam ngrënë, sa jam lodhur,
Kam pirë, sa jam bërë xurxull,
Sa ç’do gjë më është zvorur,
Veç me jetën s’ ngopem kurrë .
E dua si sytë e ballit,
Si zemrën që s’pushon kurrë,
Me të i kam mposhtur hallet,
Nuk më le në baltë kurrë !!
Dhuratë super e artë,
Që Zoti një herë e jep,
Ndaj triliona të më falin,
Nuk i ndroj me një vit jetë .



