Kumrie Avdyl Shala
NUK E ZGJEDHIM FAMILJEN, POR ZGJEDHIM SI TË JETOJMË
Në jetë njeriu mund të zgjedhë shumë gjëra: profesionin, shoqërinë, shtëpinë, bashkëshortin, veshjen, rrugën ku ecën etj. Por një gjë nuk mund ta zgjedhë: familjen ku lind.
Askush nuk zgjedh babanë, nënën, vëllain, motrën apo të afërmit.
Kjo është dhuratë e caktuar nga Zoti.
Shpesh dëgjoj që thuhet: “Familja është gjithçka.”
Po, familja është një bekim i madh. Por çfarë të themi për ata që nuk e kanë? Ata që iu ka shuar familja? Ata që jetojnë krejt vetëm? A janë më pak të vlefshëm?
Historia tregon se shumë individë pa familje kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në shoqëri, në arsim, kulturë e shtet. Njeriu nuk matet vetëm me atë që ka, por me atë që jep.
Të jetosh për vete është detyrim!
Shpesh dëgjohet fraza: “Unë jetoj vetëm për fëmijët.”
Por ç’do të thotë kjo për ata që nuk kanë fëmijë?
A nuk kanë të drejtë të jetojnë, të kontribuojnë, të gëzojnë dhe të jenë të vlefshëm në këtë botë?
Zoti na ka krijuar qenie të plota, të vlefshme dhe të afta për jetë, me ose pa familje.
Njeriu duhet të jetojë edhe për veten. Të shijojë jetën e tij, të rritet si shpirt, të mos jetojë nën hijen e paragjykimeve.
Një jetë kemi. Dhe secili ka të drejtë ta jetojë me dinjitet.
Forca e njeriut që mbështetet te vetja,
Familja është mbështetje, por njeriu që ecën me këmbët e veta është edhe më i fortë.
Kur mësohesh të mvaresh gjithmonë tek familja, humb sigurinë në veten tënde. Por kur e mban veten, kur merr vendime vetë dhe i përballon sfidat, bëhesh më i qëndrueshëm, më i pjekur dhe më i lirë.
Jeta nuk është vetëm brenda pragut të shtëpisë.
Është udhëtim, aventurë dhe njohje. Duhet shijuar me kujdes, por pa frikë.
Paragjykimet, prangat e padukshme
Paragjykimi është njësoj si mjegulla që ia vjedh dritën njeriut.
Shumë njerëz kanë frikë të thonë të vërtetën, kanë frikë të shprehin ndjenjat, sepse mendojnë se do keqkuptohen. Ata heshtin, e ajo heshtje bëhet “pikë në zemër”.
Por e vërteta, edhe kur dhemb, në fund është e ëmbël.
Qenia njerëzore është më e lirë kur shpreh atë që ndien:
“Dua këto gjëra.”
“Kam nevojë për ty.”
“Më bën të ndihem mirë.”
Kur e heq paragjykimin nga koka, ngrihesh më lart.
Fillon të jetosh për veten, jo për syrin e botës.
Mos u frikëso të shkosh në vendet ku ndihesh mirë, të bësh atë që të sjell gëzim.
Le të flasin njerëzit, jeta është e jotja, jo e tyre.
Askush nuk ka të drejtë t’i shuajë ëndrrat tua.
Askush nuk ka të drejtë të vendosë se çfarë duhet të ndjesh.
Kur çlirohesh nga paragjykimi, gjen paqen.
Dhe paqja është forma më e lartë e lumturisë.



