Vjollca Aliaj
Të gjitha rrugët të çojnë në ART: horizonte të brendshme krijuese
Ekspozita e arteve pamore nga anëtaret e shoqatës “Gratë e detarëve shqiptarë-GDSH – Laskarina Bubulina”, që u organizua në qytetin e Vlorës më 15 nëntor 2025, tek galeria Fine ART, ofroi një pasqyrë unike të krijimtarisë dhe perspektivës së tyre, duke lidhur eksperiencat e jetës detare me artin. Ajo tregoi se gratë e detarëve janë jo vetëm mbështetje e rëndësishme për familjet e tyre, por gjithashtu ato kanë një zë të fuqishëm në fushën e artit, duke shprehur ndjeshmëri, forcë dhe imagjinatë. Ekspozita u vlerësua si hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe vlerësimit të kontributit në artin kohor. Prej vizitorëve ju kushtua vëmendje kreativitetit dhe traditës së punimeve artistike duke përfshirë këtu qendisje, punime me grep e shtiza. Pikturat dhe fotografia morën vlerësim të lartë nga autoritete të Bashkisë së Qytetit, mjeshtra të pikturës, poetë, shkrimtarë, fotografë profesionistë etj.
Në këtë ekspozitë, që tashmë është bërë traditë, si kryetare e kësaj shoqate prezantova disa nga pikturat e mia të cilat u vlerësuan si vargje thurur me ngjyra.”Piktura abstrakte është poezi e shkruar në gjuhën e ngjyrave” – cilësoi, për to, njëri prej piktorëve më të njohur të qytetit të Vlorës dhe jo vetëm.
Përgatiti Vjollca Aliaj poete,
Kryetare e shoqatës “Gratë e detarëve shqiptarë – GDSh – Laskarina Bubulina”
Vlorë, Shqipëri.



