Galdiola Jorbus
Kur algoritmi vendos për ne
A je pyetur ndonjëherë pse shohim të njëjtat lloj videosh vazhdimisht në TikTok? Nuk është rastësi, por është algoritmi që na i shfaq. Çdo ditë ne lëvizim gishtat nëpër ekranet e telefonave tanë, në TikTok, Instagram, Facebook ose YouTube. Mendojmë se zgjedhim vetë çfarë shohim, por në të vërtetë shpesh janë algoritmet që vendosin. Ato ndikojnë atë çfarë na pëlqen, çfarë blejmë, madje edhe në mënyrën se si mendojmë. Rrjetet sociale janë bërë një pjesë e imponuese e jetës sonë. Shumë i përdorin për lajme, këshilla ose argëtim. Por ajo që shohim nuk është rastësore. Pas çdo fotoje apo videoje fshihet një algoritëm, një program kompjuterik që zgjedh përmbajtjen që na përshtatet.
Algoritmi vëren çfarë na pëlqen, çfarë klikojmë dhe për sa kohë shikojmë diçka. Nëse shikojmë shpesh video për modë apo grim, do të marrim më shumë reklama e postime për ato tema. Në këtë mënyrë ne ndikohemi pa e kuptuar. Besojmë se zgjedhim vetë, por në fakt kompanitë po vendosin çfarë të shohim, që ne të blejmë sa më shumë. Një shembull është kur kërkon këpucë në internet. Papritur shfaqen reklama këpucësh kudo në aplikacionet e tua. Duket sikur telefoni “na dëgjon”. Në realitet bëhet fjalë për algoritme që mbledhin informacione për atë që bëjmë në internet dhe i përdorin për të na treguar më shumë reklama. Kjo absolutisht ndikon mënyrën tonë të të menduarit.
Nëse shohim shpesh postime politike të aksh forca politike , do të vërejmë se do të na shfaqen gjithnjë e më shumë të tilla. Kjo bën që të shohim vetëm një pjesë të realitetit dhe të mos dëgjojmë mendime të tjera. Në këtë mënyrë rrjetet sociale mund të ndikojnë se si votojmë apo diskutojmë.
Rrjetet sociale mund të jenë vërtet argëtuese dhe të dobishme, por duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tyre. Herën tjetër që do të shfaqet një reklamë apo postim që duket “enkas për ty”, kujto që ndoshta nuk është rastësi. Nuk mund t’i ndalojmë algoritmet, por mund të bëhemi më të ndërgjegjshëm. Ndaj kur të bësh scroll herën tjetër, pyete veten: Kush po e zgjedh vërtet atë që unë po shoh?!


