Nga Gladiola Jorbus:Të gjithë thonë se janë të hapur, por…

Nga Gladiola Jorbus

Të gjithë thonë se janë të hapur, por…

Shpesh flasim se sa të hapur dhe tolerantë jemi, se “nuk gjykojmë askënd” dhe se komunikojmë pa problem me këdo. Por nëse do të ishim plotësisht të sinqertë, do të pranonim se diku thellë, fshihen me kujdes paragjykimet tona. Ato mendime të vogla që na vijnë në kokë dhe s’i ndalim dot, që na vënë në siklet, por megjithatë ndikojnë në mënyrën se si i perceptojmë të tjerët. Shumë njerëz përpiqen të kuptojnë origjinën e paragjykimeve të tyre. Nëse dikush kthehet pas në fëmijëri, shpesh zbulon se shumë prej tyre janë krijuar pikërisht atëherë. Mund të ketë qenë diçka që një i rritur ka thënë rastësisht, një mësues që ka theksuar dallimet, ose një situatë ku është ndier frikë apo pasiguri. Trauma nuk është gjithmonë një ngjarje e madhe; ndonjëherë mjaftojnë përvoja të vogla që lëndojnë si gjemba dhe formojnë modelin se si e sheh botën. Për të mos përmendur rolin e fuqishëm të rrjeteve sociale, të cilat i ushqejnë njerëzit çdo ditë me përshtypje të shpejta dhe përfundime të nxituara. Dikush sheh një foto, një video të shkurtër, dhe menjëherë pretendon se “e di” si është një person. Ka edhe nga ata që ndikohen nga rrëfimet e të tjerëve: një mik që ka pasur një eksperiencë të hidhur, një familjar që shpreh një mendim paragjykues pa peshuar pasojat. Të gjitha këto krijojnë një lloj bagazhi të heshtur, të cilin shumë njerëz e mbartin me vete. Më e keqja është kur njerëzit udhëhiqen nga paragjykimet e tyre pa e kuptuar. Arrijnë në përfundime pa analizuar dhe interpretojnë sjelljet e të tjerëve sipas këndvështrimit të tyre, pa u ndërgjegjësuar për rrezikshmërinë e këtij procesi. Nëse dikush dëshiron vërtet të jetë i hapur, nuk mjafton ta deklarojë me zë të lartë, por duhet të gërmojë brenda vetes: Pse reagoj kështu? Pse ndihem në siklet në situata të caktuara? Pse mendoj se e njoh një njeri që e kam parë vetëm për pesë minuta, ndërkohë që nuk na lidh asgjë me njëri – tjetrin, as marrëdhënie pune, as rrethana të tjera sociale? Vetëm kur njerëzit të guxojnë të pranojnë paragjykimet e tyre, mund të nisin t’i ndryshojnë ato. Ndoshta atëherë do të bëheshin më mirëkuptues, si ndaj të tjerëve, ashtu edhe ndaj vetes.