Rizah Sheqiri: “Edhe engjëlli, edhe djalli, flenë brenda tek i gjalli”

ree

Portreti i një nëne në romanin “Nëna ime kishte vetëm një sy” nga Sokol Demaku

Hyrje

Romani “Nëna ime kishte vetëm një sy” i Sokol Demakut është një rrëfim i fuqishëm për dashurinë e pakushtëzuar, sakrificën sublime dhe kontrastin dramatik mes mirësisë absolute dhe egoizmit njerëzor. Në qendër të rrëfimit qëndron figura e nënës, Mara, e cila përfaqëson urtësinë, sakrificën dhe dashurinë – pra gjithë vetitë engjëllore brenda njeriut. Në anën tjetër, sjellja e djalit të saj, Mimit, na kujton se brenda çdo qenieje njerëzore mund të flejë edhe djalli, me të gjitha vetitë e tij të liga: mosmirënjohjen, përbuzjen, harresën. Kështu pra,thënia e urtë popullore “Edhe engjëlli, edhe djalli, flenë brenda tek i gjalli” bëhet boshti filozofik i romanit, duke na shtyrë të reflektojmë mbi natyrën e dyfishtë të njeriut, mbi dritën dhe errësirën që bashkëjetojnë brenda tij.

Sfidat e jetës dhe qëndresa e nënës

 Në çdo faqe të romanit ndriçon një dritë e butë që buron nga zemra e një gruaje që sfidon errësirën e fatit. Sokol Demaku, me penën e tij të ngrohtë, na çon në një botë ku fjalia rrëshqet si ujëvarë, ndërsa ndjenjat shpërthejnë si petalet e një luleje në pranverë. Ky roman nuk është thjesht një rrëfim, por një himn për dashurinë e pakushtëzuar të nënës dhe sakrificën e saj që tejkalon kufijtë e njerëzores. Në fillim, autori na prezanton një botë idilike: fshatin Bardhok, ku jeta rrjedh e qetë dhe dashuria lulëzon mes Gjimit dhe Marës. Martesa e tyre është një ëndërr e realizuar, por lumturia e tyre nuk zgjatë shumë. Vdekja e Gjimit e lë Marën të vetmuar, me barrën e rëndë të jetës dhe të një shtatzënie. Megjithatë, ajo nuk dorëzohet. Me forcën e një gruaje që e ka bërë dhimbjen pjesë të jetës, Mara rrit djalin e saj me përkushtim të jashtëzakonshëm, duke punuar si grua dhe si burrë, duke e mbajtur përherë gjallë shpresën se djali i saj do të ketë një jetë më të mirë.

Dashuria e pakufishme dhe sakrifica sublime

Figura e Marës portretizohet si një simbol i dashurisë së pakushtëzuar dhe humanizmit të pastër. Ajo është qendra morale e romanit si dhe e përfaqëson engjëlloren brenda njeriut. Kulmi i humanizmit të saj shfaqet kur Mimi rrezikon të humbasë shikimin. Në një akt që tejkalon çdo kufi të dashurisë prindërore, Mara vendos t’i dhurojë njërin nga sytë e saj. Fjalët e saj “Syri im, le të jetë drita e syrit të tim biri!” janë një himn për sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar të nënës. Ky moment është triumfi i engjëllores brenda njeriut, një akt që e ngre figurën e saj në një nivel pothuaj mitik. Operacioni del me sukses, djali rifiton shikimin, ndërsa nëna mbetet me një mushama të zezë që mbulon plagën e saj.

Kontrasti tragjik: humanizmi dhe përbuzja

ree

Por përkundër të gjitha vështirësive jeta merr kthesa të papritura. Djali rritet, shkon në shkollë, dhe mushamaja e nënës fillon ta rëndojë shpirtin e tij. Nga keqardhja lind pakënaqësia, nga pakënaqësia lind turpi, dhe nga turpi lind përbuzja.

Mimi nuk e pranon sakrificën e nënës, madje as nuk e di atë. Përkundrazi, ai e sheh mushamanë e zezë të nënës si njollë në jetën e tij, por si pengesë për imazhin e vet.  Dhe kështu, sjellja e tij ndaj nënës bëhet brutale: me fyerje, me largim dhe braktisje. Kur jeta e çon larg fshatit, ai e harron nënën dhe e lë të vdesë në vetmi e në mjerim. Por, më në fund kur lexon letrën e saj, e zbulon sakrificën e nënës dhe historinë e syrit, megjithatë ai mbetet i ftohtë, pa lot e  pa pendesë. Me një fjalë konkludojmë se djalli brenda tij ka fituar.

Ky kontrast mes nënës dhe djalit është zemra e romanit. Mara mishëron mirësinë absolute, humanizmin, sakrificën, ndërsa Mimi mishëron egoizmin, pamëshirën, harresën. Autori na kujton se natyra njerëzore është e dyfishtë: brenda nesh fle edhe engjëlli, edhe djalli. Pyetja ështëkë duam ta zgjojmë e përjetësojmë?

Mesazhi moral dhe filozofik

Romani mbyllet me një mesazh të fuqishëm: askush nuk na do më shumë se prindërit tanë, por këtë gjë shpesh e kuptojmë shumë vonë – ose nuk e kuptojmë kurrë. Historia e Marës nuk është thjesht një rrëfim, por një pasqyrë ku shohim shpirtin e njeriut – herë engjëll, herë djall. Dashuria e saj e pakushtëzuar, sakrifica që tejkalon kufijtë e jetës, na kujton se mirësia mund të jetë e pafund, por edhe ligësia, mosmarrëveshtja, harresa e përbuzëja mund të jetë e pamshirëshme dhe mund të të vrasin në thellë në shpirt.

Përfundim

Kur faqja e fundit e romanit mbyllet, zemra e lexuesit mbetet e hapur, e mbushur me dritë dhe hije. Dhe, teksa mendimi endet mes dhimbjes dhe revoltës, na rikthehet urtia e lashtë:

“Edhe engjëlli, edhe djalli, flenë brenda tek i gjalli.”

Sepse jeta është një lum i rrëmbyer, ku e mira dhe e keqja kacafyten, ku drita dhe errësira përplasen, dhe varet vetëm nga individi cilën do ta zgjojë e ta përjetësojë; – engjëllin apo djallin.

Rizah Sheqiri

Magjistër i filozofisë, shkrimtar, kritik letrar, eseist, redaktor dhe recensent me përvojë mbi tridhjetë vjeçare në BTJ.