Elvira Zeneli
Vallja e Misterit
Në degët e thata të natës,
nis një valle e heshtur,
gjuhë flake që luten,
jo që digjen,,
dhe ajri merr frymën time si sekret.
Zjarri më njeh,
rrëshqet mbi lëkurën e shpirtit,
pikon dritë në sytë e mi,
si prekje që s’guxon të quhet emër.
Në rrymën që zbret nga flaka e shenjtë,
iluzionet bien si petale hiri,
shkëndijat shkruajnë shenja
në shtigje ku ecim vetëm me zemër.
Shpresa dhe pritja,
me mijëra sy qiellorë,
ngrejnë trupin në lutje,
dhe vallëzojnë vallen e misterit,
bukuri që lind nga përkulja.
Përtej kësaj djegieje të butë,
s’është fundi,
por misteri që na thërret nga brenda,
humnera ku dashuria s’ka frikë,
trishtimi i shenjtë
që di të presë pa u shuar.



