Blerta Tmavaj Veselaj
ATY GJEJ SHTËPINË
Brenda atyre syve shoh botën,
një botë me ngjyra të panjohura,
ku mbështes kokën plot qetësi,
ku më fle shpirti pa asnjë dyshim.
Aty ku heshtja bëhet këngë,
e çdo frikë tretet si mjegull në agim,
ku dora jote, pa folur asgjë,
më shkruan në lëkurë vargje pa rimë.
Në atë vështrim gjej shtëpinë,
edhe kur largësia na vë në provë,
ti je paqja që vjen në stuhi,
më je pranverë në secilën stinë.
MINUTA PA KTHIM
Mendimet, përplot dallgë deti,
era e dielli, kokëfortë, atë ditë.
Çast i turbullt, si në magji,
mbante trupin të mpirë, pa fuqi.
Një pjesë ndahej, një ngjitej,
errësirën e ftonte shpirti,
ndoshta, më në fund, do gjente qetësi.
Flokët e gjatë mbështillnin trupin,
Të ndarë më dysh.
Pa mëdyshje quhej dashuri.
Gjithçka ndodhi
në minutat pa kthim.



