Adifete Shiti: Aromë lulesh e zymtë

Adifete Shiti

Aromë lulesh e zymtë

Lulet që dikur dhuroheshin për dashuri, për ndjenjën e bukur dhe shpirtin e gjallë, sot dhurohen për raste morti. A thua vallë ka vdekur dashuria, apo personaliteti i njerëzve? Pse u bënë njerëzit kaq të pashpirt? Ku mbeti ndjenja e bukur, fjala e ngrohtë, shpirti i pastër? A thua çdo gjë po djallëzohet? Fjala e mirë, ndjenja e sinqertë, shpirti melankolik – të gjitha paskan qenë gënjeshtra të kohës. Apo ndoshta koha u bë lakatare dhe e mbrapshtë, sepse vetëm re të zeza sillen mbi ne, pa asnjë rreze dielli që të ndriçojë shpirtin. Shpirti i dalldisur endet i humbur, troket në zemrat e njerëzve si një pishtar dashurie. Ai përpiqet të gdhendë në gur fjalë të ëmbla mirësie, por ato zhduken, treten, sikur t’i merrte lumi, apo sikur të shuheshin pas një shiu të vrullshëm. Ku endemi, ku tretem? Kjo pyetje i bëhet gjithmonë kohës. Dhe koha, e heshtur, ecën përpara, duke na lënë pas me aromën e zymtë të luleve që dikur flisnin për dashuri.