Mbrëmje poetike me Kumrie Avdyl Shala

Kumrie Avdyl Shala
NUK JAM AJO
Nuk jam femra që dashurohet çdo ditë.
Nuk jam ajo që jeton me fjalë të ëmbla
e me zemra të huaja.
Nuk jam ajo që kall veten për çdo ngacmim,
për fjalë që bien si meteorë,
kur s’ua di qëllimin pse bien.
Nuk jam ajo që çdo burrë ta ledhatoj
për të arritur qëllimet e mia.
Nuk jam ajo që pasuria t’ma prishë mendjen
as karakterin.
Nuk jam ajo që notoj mbi det
me çdo varkë të huaj.
Nuk jam ajo që prish dashuri të mëdha.
Nuk jam ajo që vuan për fjalë të ëmbla
që dikujt i kanë munguar gjithë jetën.
Nuk jam ajo që në shtrat ka një burrë,
e në shtëpi sillen fëmijët për qejf,
ndërsa diku tjetër shkruan vargje dashurie,
duke tradhtuar çdo ditë
shtratin e martesës
me “perla” e hamshorë
të shitur ndër vite.
Jo.
Nuk jam ajo që vrapoj pas epshit
të belbëzuar me fjalë.
Nuk jam ajo që vrapoj pas zemrave të internetit,
as pas dallgëve e aromave që sjell deti,
se deti sjell edhe myshk.
Nuk jam ajo femër që vajton
për një shport arra
e për një gjel deti.
Unë, nuk jam ajo që dashurohet në çdo mashkull,
që thur vargje për secilin.
Nuk jam shërim,
as plagë për çdo kënd.
Nuk lëndoj,
nuk kall shpirt me gënjeshtra
kinse i dashuroj.
Se dashuria nuk është
të kalorosh herë në të kuq, herë në të zi,
as herë në kal të bardhë.
Dashuria është
kur të dy keni të njëjtën pikë synimi:
pastërtinë, besimin,
guximin dhe vendosmërinë,
që askush të mos ua prishë
lidhjen e pastër si loti.
Kjo është dashuria e vërtetë.