Migel Flor: KUR TË PËRZË SHTËPIA JOTE, DHE TË STREHON BOTA

Migel Flor

KUR TË PËRZË SHTËPIA JOTE, DHE TË STREHON BOTA

Kur bota të vlerëson, dhe shtëpia jote të përzë, atëherë kupton se arti shqiptar nuk vuan nga mungesa e talentit, por nga teprica e interesit. Ky është paradoksi i dhimbshëm i letërsisë shqiptare sot: poeti nderohet jashtë kufijve, përkthehet, lexohet, respektohet si ndërgjegje e kohës; ndërsa brenda, shihet si mall, si shifër, si mundësi biznesi ose më keq akoma, si rrezik për mediokritetin e rehatshëm.

Letërsia jonë nuk po vdes nga heshtja, por nga zhurma e gabuar. Nga zhurma e çmimeve të porositura, e lavdërimeve të blera, e kritikës së shitur dhe e paneleve ku arti nuk gjykohet më me ndjeshmëri e dije, por me lidhje, interesa dhe përkatësi. Kjo është forma më e rafinuar e perversitetit kulturor: të flasësh për art, pa e dashur atë.

Në Shqipëri e në hapësirën shqiptare, poeti shpesh trajtohet si një figurë romantike për dekor, jo si një zë i domosdoshëm shoqëror. Poezia pranohet vetëm nëse nuk shqetëson, vetëm nëse nuk zbulon plagë, vetëm nëse nuk i çjerr maskat e rreme të sistemit kulturor. Kur poeti flet me gjuhë të lirë, kur nuk përkulet, kur nuk hyn në radhë, atëherë etiketohet: “i vështirë”, “i papërshtatshëm”, “problem”. Kështu nis persekutimi modern, jo me pranga, por me injorim.

Mohimi i artit të vërtetë sot nuk bëhet hapur; bëhet përmes heshtjes selektive. Botohen libra pa peshë, promovohen emra pa thellësi, ndërsa zërat me vlera lihen jashtë, sepse nuk prodhojnë fitim të shpejtë, sepse nuk janë të bindur, sepse nuk i përkasin rrethit të duhur. Letërsia shndërrohet në biznes, poezia në produkt, poeti në shërbëtor të tregut. Dhe aty ku arti fillon të matet me para, e vërteta fillon të përjashtohet.

Ironia më e madhe është se bota jashtë i respekton poetët shqiptarë më shumë sesa vetë shqiptarët. Në festivale ndërkombëtare, në revista letrare, në përkthime dhe antologji, poezia shqipe vlerësohet për dhimbjen e saj, për historinë, për thellësinë shpirtërore. Ndërsa në vendin e vet, poeti pyetet: “Çfarë fiton nga kjo?” Sikur arti të kishte lindur ndonjëherë për të fituar para, e jo për të shpëtuar shpirtin.

Kjo qasje nuk është thjesht neglizhencë; është një formë racizmi kulturor ndaj vetvetes. Ne dyshojmë te vlerat tona, por besojmë verbërisht te vula e huaj. Vetëm kur poeti pranohet jashtë, fillon të tolerohet brenda, jo të respektohet, por të shfrytëzohet. Emri i tij përdoret, suksesi i tij shitet, ndërsa vetë poeti mbetet sërish i vetëm.

Persekutimi artistik i poetëve me vlera sot është i heshtur, por i thellë. Ai ndodh kur institucionet mbyllin dyert, kur fondet shpërndahen me miqësi, kur kritika bëhet propagandë, kur mediokriteti organizohet dhe talenti izolohet. Ndodh kur poeti detyrohet të zgjedhë mes dinjitetit dhe mbijetesës.

E megjithatë, arti i vërtetë nuk zhduket. Ai rri në margjina, por nuk vdes. Shkruhet në heshtje, botohet jashtë, përcillet gojë më gojë, sepse ka një forcë që nuk e kontrollon dot as biznesi, as interesi, as perversiteti kulturor: të vërtetën.

Letërsia shqiptare sot ka nevojë për një kthjellim moral, jo për më shumë libra. Ka nevojë për guxim për të thënë se mbreti është lakuriq, se poezia nuk është dekor, se poeti nuk është shërbëtor. Ka nevojë të kuptojë se kur bota të vlerëson dhe shtëpia jote të përzë, problemi nuk është te poeti, por te shtëpia.

Sepse arti që përjashton krijuesin e vet, dënon vetveten. Dhe një shoqëri që e sheh poezinë vetëm si biznes, do të mbetet e varfër, sado të pasur të jenë raftet e librarive të saj.