Prend BUZHALA: ALI KRASNIQI, FISNIKU I KËNGËS QË JETON NË TRASHËGIMI

Prend BUZHALA:

ALI KRASNIQI, FISNIKU I KËNGËS QË JETON NË TRASHËGIMI

(Ese për fisnikërinë e këngës dhe etikën e traditës:

nga promovimi i sotëm i veprës dokumentare “Rapsodi Ali Krasniqi –  fisniku i këngës” nga autorët Ismet Krasniqi dhe Januz Mazreku. )

Figura e rapsodit Ali Krasniqi zë një vend të veçantë në hartën e rapsodisë shqiptare jo vetëm për shkak të repertorit të pasur, por për mënyrën se si kënga e tij ndërtohet si akt kujtese, si dëshmi historike dhe si etikë kulturore. Përkujtimi i tij dhe përurimi i librit monografik “Rapsodi Ali Krasniqi – fisniku i këngës” nga autorët Ismet Krasniqi dhe Januz Mazreku, nën përkujdesjen e Komunës së Malishevës, nuk përbën thjesht një akt ceremonial, por një rikthim kritik në vlerat e trashëgimisë gojore shqiptare. Libri i botuar hedh dritë mbi këtë dimension të shumëfishtë të rapsodit.

Në studimet bashkëkohore të folkloristikës dhe etnomuzikologjisë, rapsodi trajtohet gjithnjë e më shumë si subjekt aktiv i prodhimit kulturor, gjithnjë duke e vënë në plan të parë atë si bartës të traditës. Në këtë prizëm teorik, figura e Ali Krasniqit shfaqet si rast paradigmatik i asaj që Milman Parry dhe Albert Lord e kanë konceptuar si bartës dhe krijues i traditës, pra interpretues që e riformëson trashëgiminë në vetë aktin e këndimit.

Përkujtimi i rapsodit Ali Krasniqi dhe përurimi i veprës dokumentare  “Rapsodi Ali Krasniqi – fisniku i këngës” që e përgatitën për shtyp  autorët Ismet Krasniqi dhe Januz Mazreku, nën përkujdesjen e Komunës së Malishevë, ishte një manifestim i dinjitetshëm: me fjalë përshëndetëse nga nënkryetari i Komunës së Malishevës Vesel Krasniqi, me kumtesa e vlerësime nga vetë moderatori Mehdi Krasniqi, Prend Buzhala e Idriz Berisha që e lexoi kumtesën e Behar Arllatit, me fjalët e vetë autorëve, si dhe me pika muzikore e recitime. Vepra synon ta vendosë figurën e rapsodit në kontekstin historik, estetik dhe antropologjik të këngës popullore.

Interpretimet e trashëgimtarëve të këngës dhe folklorit nga familja Krasniqi funksionuan si dëshmi e transmetimit të brezave të traditës rapsodike, ndërsa recitimi i një poezie nga mbesa e tij e vogël, kushtuar rapsodit Ali Krasniqi, u shndërrua në një akt simbolik të vazhdimësisë së kujtesës kulturore.

Element i veçantë në figurën e Ali Krasniqit është ajo që autorët e quajnë “fisnikëria e këngës”. Kjo fisnikëri që vërehet te pastërtia e interpretimit apo në besnikërinë ndaj traditës, shfaqe edhe raportin etik të rapsodit me fjalën, me historinë dhe me dëgjuesin. Në kohën tonë, kur folklori shpesh edhe instrumentalizohet ose komercializohet, modeli i rapsodëve si Ali Krasniqit qëndron si kundërvënie e qartë ndaj banalizimit të trashëgimisë.

Nga këndvështrimi folkloristik, repertori i Ali Krasniqit mund të lexohet si tekst oral, i hapur dhe dinamik, i cili ekziston përmes variantesh interpretuese, (dijetari Alan Dundes, thekson se folklori nuk është mbetje statike e së kaluarës, por proces i gjallë komunikimi kulturor). Në këtë kuptim, Ali Krasniqi si transmetues i tekstit folklorik, është edhe përpunues i tij, i cili përmes intonacionit, ritmit dhe theksimit semantik i jepte këngës jetë të re.

Në planin etnomuzikologjik, interpretimi i Ali Krasniqit dëshmonte një ekuilibër të rrallë ndërmjet strukturës melodike tradicionale dhe individualitetit interpretues. Sipas Timothy Rice, muzika tradicionale është rezultat i ndërveprimit midis historisë, shoqërisë dhe individit. Pikërisht në këtë ndërthurje mund të kuptohet profili artistik i rapsodit Ali Krasniqi: besnik ndaj modeleve modale dhe ritmike të rapsodisë shqiptare, por njëkohësisht i dallueshëm për timbrin, frazimin dhe etikën interpretatuese.

Vepra dokumentare e autorëve Krasniqi dhe Mazreku, , ndërton portretin e rapsodit si figurë kulturore e foklorike me integritet estetik dhe moral. Recensioni i Prof. Dr. Behar Arllatit e vendos librin në kornizën e studimeve mbi trashëgiminë gojore, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit shkencor të rapsodëve si arkiv të gjallë të kujtesës historike dhe shpirtërore.

Koncepti i “fisnikërisë së këngës”, që përshkon gjithë veprën, lexohet edhe përmes teorisë së moderne të dijeve, mbi kapitalin simbolik. Rapsodi Ali Krasniqi e ndërtonte autoritetin e tij rapsodik e kulturor përmes besnikërisë ndaj normave etike të traditës dhe respektit ndaj funksionit shoqëror të këngës. Në këtë aspekt, ai përfaqëson një model rezistence kulturore ndaj banalizimit të trashëgimisë.

Dimensioni i vazhdimësisë së brerzave, i dëshmuar nga interpretimet e trashëgimtarëve familjarë dhe recitimi simbolik i mbesës së vogël, e përforcon atë që Jan Assmann e quan kujtesë kulturore, një proces i ndërgjegjshëm i transmetimit të vlerave identitare. Ky çast u shndërrua në metaforë të mbijetesës së rapsodisë në kohë.

Prania e rapsodëve, studiuesve dhe krijuesve letrarë nga hapësira të ndryshme shqiptare të Kosovës, nga Tirana e Tropoja, e shndërroi këtë aktivitet përkujtimor pothuajse ngjashëm me forumet kulturore mbarëkombëtare, ku figura e Ali Krasniqit u rikontekstualizua si pjesë e një trashëgimie të përbashkët. Në këtë kuptim, rapsodi Ali Krasniqi mbetet jo vetëm figurë e kujtesës nacionale, si dhe një referencë e rëndësishme për studimin e rapsodisë shqiptare në tërësi.

(22 dhjetor 2025)