Prof. Dr. BEHAR ARLLATI – Recensë – Ali Krasniqi – Lëvrues i denjë i këngës shqipe

Prof. Dr. BEHAR ARLLATI – Recensë –
Ali Krasniqi – Lëvrues i denjë i këngës shqipe
Vështrim rreth monografisë kushtuar Ali Krasniqit të autorëve Ismet Krasniqi dhe Januz Mazreku
Monografia kushtuar Ali Krasniqit e autorëve Ismet Krasniqi dhe Januz Mazreku është edhe një vepër nga fusha e folklorit që i shtohet fondit të veprave që u kushtohen kontribuuesve meritorë të kësaj fushe. Kjo vepër ka disa të veçanta ndër të cilat ndoshta mund të veçohet fakti se autorët kanë përmbledhur mendimet dhe përvojat e të tjerëve për figurën e Ali Krasniqit dhe çudit fakti se edhepse Ismet Krasniqi i takon ‘derës së njëjtë’ me Aliun’ që do të thotë se ka mundur të shkruajë për të shumë histori, ai përcaktohet për bashkautorësi me Januz Mazrekajn si dhe mbledh mendimet dhe përshtypjet e të tjerëve për të. Këtë do ta quaja modesti të Ismet Krasniqit por edhe ikje nga egoizmi që zakonisht kaplon autorët e ndryshëm të cilëve u vie ndonjë rast si ky. Ismet Krasniqi nuk preferon të jetë vetë autor duke pasur frikë kurthin e subjektivitetit dhe orientohet kah mendimet e të tjerëve, që të tjerët ta thonë mendimin e tyre për kushëririn e parë të tij, Ali Krasniqin.
Kjo Monografi fokusohet në dëshmi autoriale të personaliteteve që e kanë njohur dhe që kanë pasur rastin të kalojnë një kohë me personazhin e kësaj Monografie-Ali Krasniqin dhe të muzikantëve që kanë muzikuar me të, si dhe në fotografi dokumentare të cilat sikur vulosin karrierën rreth 70 vjeçare të Ali Krasniqit. E konsideroj të vështirë misionin e autorëve Krasniqi e Mazreku për ta pasqyruar si dhe sa duhet një karrierë aq të gjatë aq më shumë kur bëhet fjalë për një personalitet të foklorit dhe muzikës, i një kalibri të madh. Përvoja tejet e madhe e Ali Krasniqi ka bërë që tek ai të krijohet një personalitet mjaft kompleks. Vetë qenia e tij si muzikant është mjaft komplekse. Duke qenë se ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me dy kolosët e muzikës fshatareske, Salih e Feriz Krasniqin. Aliu, shumë më i ri në moshë, ka pasur fatin e madh të mësojë prej tyre shumë këngë, mënyrën e të sjellurit dhe qëndrimit në Odë që, në shek. XX e edhe më heret, ka përfaqësuar institucionin e vetëm që ka shërbyer për shumë fusha e problematika, si: për ndarjen e drejtësisë, për orientimin profesional të të rinjve, për edukimin e brezave të shumtë, për marrjen e vendimeve me rëndësi kombëtare, për ‘shuarjen’ e konflikteve si dhe për shumë qështje të tjera me rëndësi. Dhe ishin ata pleqtë tanë të pashkollë që ditën të kryejnë këto punëra me kaq rëndësi për kombin. Duke qenë se Salih e Feriz Krasniqi kishin një dallim të madh moshë me Aliun (Salihu kishte 21 vjet dallim në moshë, Ferizi 15 vjet), domosdo që u takonte atyre ta mësonin Aliun për gjithë këto gjëra, e më së shumti, për këngët. Dhe Aliu dijti me shumë mençuri t’i marrë e t’i shfrytëzojë këto mësime dhe t’i përcjell ato tek gjeneratat e tjera pas tij. Figura e Ali Krasniqit mundet dhe duhet të analizohet nga dy këndvështrime:
• Nga këndvështrimi pleqnar-folklorik
• Nga këndvështrimi prej këngëtari e instrumentisti
Nga këndvështrimi i një burri të denjë odash tipike shqiptare, Ali Krasniqi, pasi mblodhi pothuaj
gjithçka i duhej, me këshillat, sugjerimet, ‘rrotllat e odave’ dhe ndërhyrjet në momente të caktuara e të duhura, plotësoi së pari fëmijët e tij e pastaj të gjithë ata që kishin nevojë për to. Në këtë mënyrë, mund të thuhet me plot gojë se Ali Krasniqi e ka kryer misionin e tij prej burri, babai e gjyshi në mënyrën më të mirë të mundshme. Për më tepër, numri i stërmadh i njerëve që kanë vizituar Odën e tij, flet më së miri se sa ka qenë i preferuar e i kërkuar si njeri me mendje të ndritur. Në këndvështrimin prej këngëtari e instrumentisti, duhet pranuar se Aliu ishte një figurë komplekse dhe s’mund të trajtohet vetëm nga aspekti i folklorit letrar i cili është tejet i mangët pa këndvështimet dhe analizat muzikore. Dhe përderisa kushdo studiues mund të flasë për meritat e tij nga aspect i këngëve të interpretuara, si tekste, kushtuar atij e këtij, kushtuar asaj e kësaj lufte gjë që është shumë e lehtë, më e vështirë është analiza muzikore si ka kënduar, çfarë ambitusi kishte, në cilët instrumente lunate më mirë e më pak mirë, a i ka kënduar më bukur këngët epike
apo ato lirike, sa emocione ka transmetuar tek dëgjuesit, sa ka ‘thithë’ përvojë nga këngëtarët e
tjerë më të vjetër se ai etj. Për kohën që kam ndenjur dhe e kam kaluar me të, kam kuptuar se Ali Krasniqi, pos Salihut e Ferizit, ka njohur mirë kolosët e këngës fshatareske (siç njihen ndryshe, Rapsodët) dhe konkretisht: Dervish Shaqja, Ndue Shyti, Demush Neziri, Riza Bllaca (që ishte aty-aty i moshës së Salih Krasniqit), Salih Drenica, Tahir Drenica, Hashim Shala, Qamili i Vogël, Augustin Ukaj, Cuf Kadishani, Halim Beqa, Murat Pajaziti pastaj pak më të vonshëm Bajrush Doda, Sefë (Gashi) Mleqani, Rifat Berisha, Demir Krasniqi, Marash Krasniqi, Osman Gllareva, Vëllezërit Çetaj e madje kishte njohuri (me të dëgjuar) edhe për Riza Strellcin që kishte vdekur në burgun e Nishit me çifteli në dorë qysh në vitin 1947 e edhe njihej mirë me pothuaj të gjithë këngëtarët e rasodët më të rinj në moshë. Duke njohur gjithë këta kolosë të këngës rapsodike, domosdo edhe Aliu kishte marrë shumë nga ta, kishte mësuar nga ta etj.
Në një rast, kur e provokova me një pyetje të thjeshtë se ‘kush ka kënduar më së miri këngët epike historike të Demë Ahmetit, Ahmet Delisë, Nak Berishës, Qorr Ilazit etj.’? Unë mendoj Dervish Shaqja’!- i thashë.
“Secili ka këndu në mënyrën e vet, kanë ndryshime secili se asnjeni s’ka këndu njejtë me tjetrin. Dervishi pa shybe asht ndër ma t’mirët e ma”- ma ktheu.
Kjo flet qartë se Ali Krasniqi ka ditur qartë ta bëjë dallimin në mes të këngëtarëve, t’u japë atyre meritat që secili individualisht kanë pasur dhe, në këtë mënyrë, asnjërin të mos e lëndojë duke bërë kategorizime, ndoshta ndarje të panevojshme. Duke ditur se Aliu ka njohur disa nga instrumentet Kordofone (me tela), s’do mend se ka qenë edhe jo pak virtuoz. Instrumentin e sharkisë e kishte më për zemër pasi vetë ky Instrument lë përshtypjen e ‘e madhështisë’ përderisa, në fakt, instrumentistët e sharkisë, profesionalisht njihen si “dembelë” pasi sharkia ofron shumë më pak virtuozitet se sa p.sh. çiftelia apo Primi.
Ali Krasniqi këndonte bukur. Edhepse nuk e kishte forcën interpretative si të Salih e Feriz Krasniqit, Augustin Ukajt apo Riza Bllacës, zëri i tij ngjallte shumë emocione qoftë kur këndonte këngët epike historike qoftë kur këndonte këngët lirike të dashurisë apo lirikës së përgjithshme. Ali Krasniqi, me ambitusin që zoteronte, arrinte t’i këndonte bukur edhe në regjistrin e lartë që kërkojnë zakonisht këngët e epikës historike po mbase edhe më bukur i tingullonin këngët në regjistrat e mesëm dhe të ulët kur këndonte këngët e lirikës së dashurisë dhe lirikës së përgjithshme. Shumë prej këtyre fakteve, autorët I. Krasniqi e J. Mazreku kanë arritur t’i pasqyrojnë mjaft mire qoftë vetë ata, qoftë përmes shkrimeve të të tjerëve për Ali Krasniqin. Kur ia shtojmë këtu edhe ilustrimet konkrete përmes fotove, mund të thuhet se kjo Monografi është shumë e qëlluar për rapsodin e madh e mikun tim, Ali Krasniqin.
Kam mendim të plotë për asnjë arsye dhe në asnjë rast nuk duhet harruar se Ali Krasniqi ishte një pasuri kombëtare shumë pak i shfrytëzuar nga ne dhe, për më të madhen çudi, i vlerësuar jashtëzakonisht shumë dhe i studiuar nga të huajt.
Poaq duhet vlerësuar e, pse jo, edhe studiuar e gjithë trashëgimia që la pas, nga vetë ne.
Gjakovë, nëntor 2025
Prof. Dr. Behar Arllati