E diela poetike me Migel Flor

Migel Flor

Perëndim në sytë tuaj!

Mos ma mbyt detin, t’u luta,
ndërsa perëndimet ndizen në sytë e tua.
Ti, pa e ndjerë, më mbyte me qeshje,
dhe unë u zhyt në këtë gëzim,të marrê hua.

Valët e mia kërkonin rrugën e lirë,
por ti luaje me ta si me flakët e diellit.
Çdo buzëqeshje, një uragan i butë,
çdo shikim, një oqean që thërriste qiellit.

Më mbyte pa zhurmë, pa qortim,
me një lehtësi që mban peshën e botës.
Dhe unë, e pafuqishme mësova
të notoj mes valëve të qetësisë dhe tokës.

Në fund, rënkova vetëm në heshtje,
duke parë perëndimet që lindnin në sy,
dhe kuptova: Ti më mbyte,
dhe unë u bëra oqean për ty.

MONALIZA

Ajo s’është fytyrë,
është një pyetje e varur në mur,
një heshtje që buzëqesh
pa dhënë përgjigje.

Sytë e saj nuk të shohin,
të matin.
Jo trupin,
por thellësinë e mendimit
që fsheh pas ballit.

Buzëqeshja
është një gjysmë e vërtete,
një sekret i mbajtur peng
mes dritës dhe hijes,
si jeta që s’thotë kurrë gjithçka.

Monaliza s’plaket,
sepse koha lodhet
duke u përpjekur ta kuptojë.
Ajo rri pezull
mes çfarë jemi
dhe çfarë pretendojmë të jemi.

Në heshtjen e saj
ka më shumë zhurmë
se në mijëra fjalë:
dyshim, dëshirë,
frikë nga e vërteta.

Dhe ne,
kalimtarë përballë një pikture,
ikim duke menduar
se e pamë.

Por Monaliza
mbetet aty,
duke na parë
neve në sy.