Erinda Medolli:ATHINA BINO ME VARGUN E SAJ E BËNË KOHËN PRANVERË 

Erinda Medolli

ATHINA BINO ME VARGUN E SAJ E BËNË KOHËN PRANVERË

Athina Bino lindi në qytetin e Korçës, një vatër e njohur e kulturës dhe artit shqiptar. Që në vitet e hershme të jetës u dallua për ndjeshmërinë artistike dhe prirjen e veçantë ndaj fjalës së bukur dhe krijimit estetik. Hapat e parë në rrugën e artit i hodhi si punëtore në ndërmarrjen artistike të qytetit, duke ndjekur njëkohësisht shkollën e mbrëmjes, çka dëshmon për këmbënguljen dhe përkushtimin e saj ndaj dijes dhe kulturës.

Më pas, ajo ndoqi dy vite kursin e pikturës, për të vijuar studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik të Korçës, në degën Gjuhë–Letërsi, ku u formua profesionalisht në fushën e arsimit dhe letërsisë.

Pas përfundimit të studimeve, Athina Bino ushtroi veprimtarinë e saj arsimore si instruktore për fëmijët në zonën e Devollit, më tej si instruktore për rininë shkollore, edukatore dhe drejtoreshë në kopshtet e fëmijëve të qytetit të Korçës. Kjo përvojë shumëvjeçare në edukimin e brezave të rinj do të ndikonte ndjeshëm në ndërtimin e botës së saj krijuese, veçanërisht në letërsinë për fëmijë.

Paralelisht me punën pedagogjike, ajo nisi rrugëtimin e saj letrar, duke botuar krijimet e para në revistat prestigjioze për fëmijë “Fatosi” dhe “Pionieri” në Tiranë, si dhe në gazetën “Përpara” të Korçës.

Në fillim të viteve ’90, Athina Bino emigroi jashtë Shqipërisë, por distanca fizike nga atdheu nuk e shkëputi nga krijimtaria letrare. Përkundrazi, ajo vijoi të shkruajë me të njëjtin pasion dhe ndjeshmëri, duke pasuruar letërsinë shqipe me vepra të reja.

Deri më sot, ajo ka botuar dhjetë libra, që përfshijnë poezi lirike, fabula dhe gjëegjëza për fëmijë dhe të rritur:
1. Kam një emër – vjersha
2. Gjyshja, nipi dhe ekrani – vjersha për fëmijë
3. Gomari me pasion – fabula për fëmijë
4. Është shtëpi, apo zemër – poezi
5. 88 gjëegjëza – për fëmijë
6. Kush e gjen, mendja i shkëlqen – 100 gjëegjëza për të rritur
7. Valsi i zemrës – poezi lirike
8. Kërkoj yllin tënd – poezi lirike
9. Tingujt e shpirtit – poezi lirike
10. Korçë e mirka ime – poezi kushtuar vendlindjes

Athina Bino ka marrë pjesë në konkurse të shumta letrare brenda dhe jashtë vendit, ku është vlerësuar dhe nderuar me çmime të ndryshme.

Krijimtaria e saj shquhet për ndjeshmëri të thellë emocionale, një stil të qartë, të ngrohtë dhe komunikues, si dhe për dashurinë e pashtershme ndaj fëmijëve, atdheut dhe botës shpirtërore të njeriut. Vargjet e saj përçojnë dritë, mall, dashuri dhe kujtime, duke reflektuar një jetë të tërë të përkushtuar ndaj fjalës artistike dhe misionit edukues.

EDHE PAK

Të pa arritshme maja synoja…
me hapa breshke të arrija,
shekullorin të pushtoja
me përpjekjet e mia.

Edhe pak…edhe pak
edhe pak ka mbetur,
ndoshta 100-shit i vë kapak,
përjetësinë kam për ta gjetur!

Ku vajta?Asgjëkundi.
Ç’ pashë?Pak o gjë.
Vorbulla që më përkundi,
raskapitur…s’mban më.

Afër fundit nxitoj e ngec,
spanarur,timoni lëkundet,
motorri pa “benzinë”më nuk ec.
Mundet,-Jo nuk mundet!

Frena gati këputur,
mosha mallagare la,
në rimont të tërën futur,
tjetër zgjidhje s’ka.

Me hapa breshke:tëk-tëk-tëk
akoma bares ,zvarritem,
s’bëj dot, as gëk-as mëk
dhe s’kam pse të mërzitem.

Se shijova pak dritë hëne,
ca rreze dielli më panë,
fala dhëmbshuri nëne,
fëmijët dashuri më dhanë.

Afër fundit udhëtimi,kujt t’i vë faj?
Ngadalë shuhet, tretet vetmohimi,
kujtimi mbetet pastaj.

Sot jam,kështu si jam
me vështrimin përtej,
momentin gëzoj,në timin liman
e shpirtit ia rrëfej.

SIKUR

Të ish kjo botë lëndinë,
me lule erë trëndelinë,
pa gërxhe e gurë,
furtuna mos kishte kurrë.

Dielli të përvëlonte,
rreze të lëshonte,
netëve të fekste hëna,
të thurrte triko nëna.

Ulur të kuvendonim,
sikur në parajsë jetonim,
pa gërrmëre për pasurira,
pa luftra, pa mërira.

Pa ferr e purgator,
kriminele e të pafaj e fajtor,
vaj ç’po heq,o tokë e gjorë,
Vaj e trmerr ,orë pa orë.

Të ish kjo tokë e qetë,
të ndihej njeriu mbret,
me dëshirë të shumohej
mos çakërdisej,mos tërbohej.

Rënduar nga kakamë,
babëzinj, lakutë me famë,
të punonin të tërë,
djersitur,përveshur llërë.

Të kish kjo botë,të kish,
bereqet njëqindfish,
fukarai të ngopte barkun,
mos ia hante askush hakun.

Liqenet, detet,oqeanët,
lundrues në të katër anët,
t’i shërbenin gjësë gjallë,
të jetonte si në përrallë.

Ashtu siç ish të mbetej,
mos copëtohej,mos epej,
me gërmime nëpër qytete,
nga vullkane e termete.

Pa halle të ish kjo botë,
pa grindje,pa lot,
ngjyra veshur si ylber,
ah,sikur të ndodhte njëherë!

Stinët më të buta ca,
jeto,argëhohu,pi,ha,
të shihnim vetëm dite te bardha,
ikje…kur të vinte radha.

Ëndërroj ,unë e mjera,
si gjithë femrat e tjera,
të qemë më me fat,
mos vuanim ditë natë:

Për një jetë më të mirë,
për një ditë me mëshirë,
për një shpirt të dlirë,
për një ndjenjë të lirë!

Sikur të ndodhte një herë,
do ta quaja botën PRANVERË