Erinda Medolli: Një zë poetik i natyrës dhe ndjenjave

Erinda Medolli

Një zë poetik i natyrës dhe ndjenjave

Mariol Ago, ka lindur  në Kuç të Devollit. Ai përfaqëson një nga zërat e rinj më të ndjeshëm dhe reflektues të poezisë bashkëkohore shqiptare, ku fjala poetike ndërthuret natyrshëm me përjetimin emocional dhe lidhjen e fortë me vendlindjen.

Formimi i tij akademik është ndërtuar në fushën e shkencave natyrore. Ai ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Biologji, si dhe studimet master në drejtimin Biologji–Mjedis. Ky formim shkencor reflektohet qartë në krijimtarinë e tij letrare, ku natyra nuk shfaqet thjesht si sfond estetik, por si një qenie e gjallë, simbolike dhe dialoguese me shpirtin njerëzor.

Pavarësisht disiplinës akademike që e formësoi profesionalisht, prirja poetike e Mariol Agos ka qenë gjithmonë një thirrje e brendshme. Poezia e tij shquhet për ndjeshmëri të thellë, për gjuhë të qetë e meditative dhe për një introspektim të sinqertë mbi jetën, dashurinë, kujtesën dhe përkohshmërinë njerëzore. Motivet natyrore, të ndërthurura me përjetime personale, krijojnë një univers poetik intim, ku lexuesi ftohet të ndalet, të reflektojë dhe të ndjejë.

Krijimtaria e Mariol Agos përbën një udhëtim poetik mes botës së jashtme dhe asaj të brendshme, duke dëshmuar se shkenca dhe arti nuk janë kundërshti, por dy forma të ndryshme të të kuptuarit të jetës. Me një zë të matur, por të qëndrueshëm, ai afirmohet si një autor premtues në panoramën e letërsisë bashkëkohore shqiptare, duke sjellë një poezi të pastër, të ndjerë dhe thellësisht njerëzore.

Poezi nga Mariol Ago

DILEMË

Ka momente që jeta
me bën të dyshoj
a jam njeri apo zog,
Sepse ma jep,
çdo gjë me thërrime:
Thërrime dashurie,
Thërrime lumturie,
Thërime drite,
Madje edhe,
Thërrime buke,
Jetë e dashur,
Unë nuk jam zog,
Nuk dua thërrime,
Une jam njeri…
Edhe pse ti me
Bën ta dyshoj këtë fakt.

Gjyshja ime

Dimri më kujton gjyshen time,
sa herë e ndiej të ftohtin;
vesh trikon që ma endi me mundime,
para se të fluturonte te Zoti.

I vesha edhe çorapet,
se gjyshja aty e kishte hallin;
tani i bëj më të sigurt hapat,
por s’e shuaj dot mallin.

Dorezat i kam në duar,
që m’i endi së fundi;
zemrën e kam të shpuar,
dhe malli i saj më tund.

Unë vrapoj nëpër kujtime,
me triko e çorape prej leshi,
dhe end vargje për gjyshen time,
sepse ajo shumë më deshi.

Shtëpia e emigrantit

Pas shumë vitesh mërgim, u ktheva prapë aty,
tek e ëmbla shtëpia ime;
brenda saj gjeta të mbyllura
me qindra kujtime.

Muret e saj i gjeta mbushur me myshk,
kyçin e derës mbuluar me ndryshk.

Mu kujtua kur ika atëherë nga shtëpia ime,
dhe me vete mora vetëm një torbë me kujtime.

Tani shumë gjëra këtu paskan ndryshuar;
oborin që luaja dikur, bari e ka mbuluar.

E nisa avash ta sodis oborin tim,
çdo gur i vogël mbart nga një kujtim.

Dhe sa e sodita çdo cep të shtëpisë sime,
përgjithësisht, kur ika prapë mora vetëm torbën me kujtime.

Stoli

Dielli iku dhe s’më foli,
e kapërceu edhe malin;
unë të prita tek stoli,
e kujtimet nuk ndalin.

Kur mbrëmja bie,
dhe Korça zhduket në re,
një yll nga qielli bie,
tek stoli ynë atje.

Mbi dy shkronja dore,
të gëllëndura me vija,
ëndrrat tona rinore
flenë te Parku “Rinia”.

Nata fillon të zbresë,
stolin dot s’e shikoj;
largohem me kujdes,
që ëndrrat mos i zgjoj.