Adifete Shiti
Egoja në Tryezën Tonë të Përditshme
Ushqimi që po na servohet çdo ditë nëpër tryezat tona nuk është më buka e mirëkuptimit, por egoja ndaj njëri-tjetrit.
Mllefi është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, derdhet pa shkak, pa masë, dhe shpesh godet aty ku s’ka faj. Përçahemi lehtë, harrojmë qëllimet për të cilat jetojmë, dhe në vend të fjalës së urtë, zgjedhim vrerin.
Kjo gjendje është shndërruar në rutinë të jetëve tona. Çfarëdo terapie që mundohet të na shërojë, duket e pafuqishme, sepse doza e urrejtjes dhe e mllefit ndaj njëri-tjetrit ka kaluar çdo kufi. Plagët nuk janë më individuale, por kolektive.
Vetëdijesimi për ta përmirësuar këtë gjendje është në nivelin më të ulët të mundshëm. Pak flitet, edhe më pak punohet, e pothuajse hiç veprohet. Heshtja jonë po bëhet bashkëfajtore e kësaj rrëshqitjeje morale.
Nga zilia e kemi të vështirë t’i pranojmë veprat e mira të tjetrit. Mirësia shihet si kërcënim, suksesi si provokim. Kështu vazhdojmë të mbetemi të bllokuar në një rreth vicioz, ku mungesa e edukimit shpirtëror ka zbehur vlerat më të shenjta njerëzore.
Dashuria, dikur themel i marrëdhënieve tona, ka humbur peshën e saj. Në vend të saj, po mbillet egoja, ftohtësia dhe indiferenca. Dhe kështu, pa e kuptuar, po ushqehemi çdo ditë me atë që na varfëron më së shumti si njerëz.



