Mbrëmje poetike nga BUJANA MALAJ

BUJANA MALAJ

E LEHTË SI ERA NË STUHI

Eca ngadalë të mos trazojë
e randë si plumbi në gëzhojë
e lehtë si era në stuhi
e ëmbël si zemra në dashuri.

A më dëgjove kur shpirtin të preka
dhe pse nuk isha afër teje
anijen e nisa mbushur dasmorë
ngadalë u kthye si nuse n’vaporë.

Për ku u nisa ashtu si hije ?
e randë e lehte si gjethe në vjeshtë
sa herë u këputa si pe fije fije
e botën ta veshja me një xhaketë.

U këputa u ngjita si boshti e furka
e tjerrun hollë gati në k’putje
vërdallë i rashë e kurrë nuk e humba
n’udhëtimin e fundit të ndjenja një puthje.

S’JEP HUA, AS LYPET BORXH

Nuk e di pse gjum nuk kam
Nuk e ndjeva zanin tand
Prita sonte si çdo natë
Natë të mirë nuk më ke thanë

Ku t’mërzita nuk e di
Mos i hapsha këta dy sy
Faje kam e faje s’kam
Një mur n’mes dyve na ndan.

Deri sonte me ty kam qenë
Një jastëk të dy po flejmë
Besa nesër bahesh pishman
Hajde shpejt sa nuk është vonë.

Ah ç’ka ban maraku i shkretë
Edhe natën nuk len me fjetë
Ta merr gjumin e larg të tret
Pa t’thirr fare kthehesh vetë.

Kthehu pra e mos ban lojna
Njani-tjetrin boll e dona
Shpesh dashnia t’ban si f’mi
Tana fajet ti la ty.

Ngaiher bajmë sikur nuk duhem
Krejt të ngjitun dukem t’huej
Na llaston dashnia shpesh
Natën bashkë dita për dreq.

Kurrë mos thoni s’duam ma
Në dashni nuk ka hua
S’jep hua as lypet borxh
Për dashni s’ka kush ç’ka thot.

Dikush thotë se nuk e njoh
Nuk ka kamë me ec për tokë
M’renda gjakut qarkullon
Mjeran je, kur s’dashuron.