Gladiola Jorbus
Gjuha standarde si status, dialekti si përkatësi
Shumë njerëz flasin në dialekt sepse gjuha nuk është vetëm një mjet praktik, por edhe një pjesë e identitetit. Dialekti lidhet me fëmijërinë, familjen dhe traditat, prandaj ndihet më personal. Dialektet janë konsideruar për një kohë të gjatë si më pakt ë rëndësishme se gjuha standarde, por unë mendoj se duhet t’i vlerësojmë më tepër. Shumëkush flet në dialekt sepse ky i fundit është pjesë e pandashme e tij. Përmes dialektit mund të shprehësh ndjenja, mund të kujtosh batuta plot humor, në një mënyrë më të natyrshme se sa në gjuhën standarde. Gjuhën standarde e mësojmë në shkollë dhe e përdorim në situata formale, si në arsim, punë dhe institucione publike. Ajo shihet si më e saktë dhe më prestigjioze, pasi tregon arsimim, status shoqëror dhe përshtatje me rregullat. Në shumë raste duket sikur një person është “në një nivel më të lartë”, nëse përdor gjuhën standarde. Në të njëjtën kohë, dialekti ka një vlerë të fortë simbolike. Në sociolinguistikë flitet për “prestigj të fshehtë”, që do të thotë se dialekti mund të japë status brenda grupit të vet, edhe nëse nuk konsiderohet formal. Duke folur në dialekt, njeriu tregon përkatësi dhe respekt për rrënjët e veta. Ky term është prezantuar nga sociolinguisti britanik William Labov, një nga studiuesit më të rëndësishëm në këtë fushë. Ai e përdori këtë ide për të shpjeguar pse njerëzit ndonjëherë preferojnë të flasin pikërisht në dialekt ose forma të tjera jostandarde të gjuhës. Ne s’ duhet të paragjykojmë dhe të mendojmë se dialektet vlejnë më pak. Si dialekti, ashtu edhe gjuha standarde kanë funksione të ndryshme. Që të dyja janë të rëndësishme. Dialekti krijon afërsi dhe identitet, ndërsa gjuha standarde jep qartësi në situata formale. Në vend që t’i krahasojmë, duhet të vlerësojmë faktin që gjuha mund të jetë kaq e larmishme dhe e pasur njëherazi.



