Gladiola Jorbus
Kristalet, çaste të vogla qetësie
Që në kohën e lashtë, historiani romak Plini Plaku shkruante se “gurët e çmuar përmbledhin madhështinë e natyrës mëmë brenda një rrethi të vogël”. Këto fjalë tregojnë se njerëzimi është magjepsur ndër shekuj nga kristalet dhe bukuria e tyre. Edhe në ditët tona të shenjuara nga ritmi i shpejtë, stresi dhe lidhja e pandërprerë me botën digjitale, kristalet mund të na japin diçka me vlerë të veçantë. Në një përditshmëri të mbushur me ekrane, takime dhe kërkesa të pafundme është e lehtë të humbasësh qetësinë e brendshme. Pikërisht atëherë, një kristal mund të shërbejë si një kujtesë e thjeshtë dhe e fuqishme, mbi forcën e natyrës. Të kesh një gur të vogël mbi tavolinë, ta mbash në xhep ose në stolitë e tua, mund të duket si një mrekulli e vogël pranë vetes. Kuarci mund të sjellë kthjelltësi, agata forcë, ndërsa ametisti qetësi. Pavarësisht, nëse dikush beson në energjitë e tyre apo thjesht vlerëson formën dhe ngjyrën, ato mund të krijojnë një ndjenjë harmonie. Bukuria qëndron në faktin se kristalet nuk kanë pse të jenë të shtrenjta apo të rralla. Vlera e tyre nuk matet me çmimin, por me ndjesinë që përcjellin. Edhe një gur i thjeshtë mund të mjaftojë për të na kujtuar të ngadalësojmë, të marrim frymë dhe të rigjejmë fokusin. Për fat të mirë, kristalet janë mjete të vogla mirëqenieje të aksesueshme për këdo. Gjatë historisë, njerëzit i kanë përdorur kristalet si stoli, hajmali dhe simbole mbrojtjeje. Sot ato shërbejnë si dekorime apo kujtime personale. Ato lidhin të shkuarën me të tashmen dhe tregojnë se dhuratat e natyrës vazhdojnë të na japin forcë. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me gjetjen e ekuilibrit të brendshëm. Një kristal mbi pëllëmbën e dorës mund ta shndërrojë një çast të mundimshëm në një çast të paqtë duke na sjellë ndërmend, se qetësia gjendet brenda nesh. Po të ndalemi pak për të medituar dhe vëzhguar bekimet e natyrës, do t’i lejonim vetes të përjetonim më shumë prehje e kënaqësi.



