Gladiola Jorbus
Duhet të reshtim së ’’përndjekuri’’ perfeksionin
Duket sikur shumë prej nesh përpiqen të arrijnë gjithçka në jetë. Duam të jemi të suksesshëm në punë, të kemi një shtëpi perfekte dhe njëkohësisht të jemi socialë e aktivë. Nuk është aspak çudi që njerëzit ndihen të lodhur dhe të stresuar. Kërkesat vijnë si nga shoqëria, ashtu edhe nga vetja jonë, aq sa nuk e kuptojmë se sa shumë sfida marrim përsipër të realizojmë brenda 24 orëve. Shpesh takoj njerëz që ndihen të pamjaftueshëm, edhe pse vërtet japin maksimumin. Punojnë shumë, kujdesen për familjen, ushtrohen, marrin pjesë në aktivitete dhe përpiqen të mbajnë shtëpinë në rregull. Megjithatë ndjesia se ende nuk mjafton, mbetet. Ky fakt krijon një trysni dhe stres që nuk i bën mirë askujt. Për më tepër, me kalimin e kohës rrezikon të dëmtojë si shëndetin tonë, ashtu edhe marrëdhëniet tona. Duhet të ndërgjegjësohemi për atë që është vërtet e arsyeshme. Askush nuk mund të jetë perfekt gjatë gjithë kohës, dhe askush nuk përfiton duke u përpjekur të luftojë pareshtur. Është shumë normale të pushosh, të thuash “jo” ndonjëherë, ose të lejosh që shtëpia të jetë pak e çrregullt kur nuk ke energji. Të vësh veten në plan të parë nuk duhet parë si egoizëm, por si domosdoshmëri. Nëse fillojmë të vlerësojmë më shumë qetësinë dhe rikuperimin, besoj se të gjithë do të ndiheshin më mirë. Stresi nuk do të zhdukej krejtësisht, por do të mund të zvogëlohej. Nëse do të hiqnim dorë nga ndjekja e përsosmërisë dhe do të përqendroheshim te gjërat që kanë vërtet rëndësi, do t’i bënim një nder të madh shëndetit dhe mirëqenies sonë.



