AVNI VARFI SI POET DHE STUDIUES ME DRITË PËR DRITËN E
KULTURËS DHE LETËRSISË SONË
Avni Varfi – poeti i Lumit të Vlorës, gjaku i babait tim
Nga Albert HABAZAJ
Miku ynë i ndritshëm Avni Varfi, Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës, pas 3 vjetësh fluturim tek yjet, erdhi përsëri midis nesh, por kësaj here i përjetësuar në librin “Avni Varfi – një meteor në qiellin e Labërisë” përgatitur nga prof. dr. Bardhosh Gaçe, botuar me sakrificën fisnike të së bijës së Avniut, Aleksandra Varfaj Arshiaj dhe financuar nga djemtë bujarë të poetit Marsel e
Artur Varfi. Jo çdo fëmijë e bën këtë për babain e tij me vepra si Avniu. Të tre këta janë gjaku igjakut tim dhe në emër të atyre të dyve, që s’i kam, me shpirt u them: MIRËNJOHJE!
Përveç të tjerash, nga që jam dhe redaktor i librit dhe shkrimi im për profilin njerëzor dhe kulturor të Avniut është përfshirë në tekst, po ashtu dhe balada “Dritë nga shpirti dhe nga vargjet” thurur me lot në sy atë natë të së shtunës, aq të trishtë të 3 shtatorit 2022 (00:29') është
përfshirë në këtë libër, unë tre pika të vogla do të kap shkurt:
1. Akti i Aleksandrës, këmbëngulja aq vullnetshme dhe fjala e dhënë përpara shpirtit të Atit të saj më vjen si reminishencë epike e legjendës së famshme “Kostandini dhe Doruntina”. Në këtë rast, nuk kemi vëllain, motrën dhe nënën, por bijën, atin dhe letërsinë. Dhe jo në legjendë por në të vërtetë.
2. Avniu pati jetën, ikjen dhe pasjetën (jo kushdo e meriton këtë të fundit). Avniu e arriti e na dritëron si meteor.
E kishim njohur si poet, si elektricist, si këngëtar, si autor tekstesh, si bujar. Si poet qe gur themeli i traditës dhe majë e lartë e poezisë moderne. Ngaqë përgatitësi i këtij libri të madh ka bërë një parathënie serioze, siç di profesor Gaçe, ndihemi mirë si shoqëri letrare dhe në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, anëtar nga të parët e së cilët ishte dhe poeti e studiuesi Avni Varfi, jemi
mirënjohës veprës së tij shumëplanëshe që e lartëson në përmasën e përjetësisë. Që në gjallje (sa shpejt na iku tek yjet… vetëm 71 vjeç), Avni Varfi na la 8 vepra (3 me poezi, 5 monografi), por pak e dinin se ai kishte një visar të pabotuar me shënime, refleksione, mbresa e
shkrime të ndryshme kritike, po ashtu me vlerë dhe në fushën e folkloristikës. Ai dinte shumë e shkroi pak. Ka qenë në një klasë me mësuesin e gjuhëve të huaja, poetin popullor dhe studuesin e folklorit dhe etnografisë Llambro Hysaj nga Kallarati dhe me mësuesin e fizikës, prof.dr. Bilal Shkurtaj (dritë pastë) ish- rektori historik i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Siç më thoshte prof. Bilali, Avniu mësonte shumë mirë, si ne, e shpesh herë dhe më i mirë se ne. Por ky nxënës i shkëlqyer nuk mund të shkonte më tej, në universitet, se kishte një “havale” në biografi… A, i marrtë djalli, se ky ceni në biografi po i ndjek njerëzit si hije resh të zeza!
Nuk do të shtjelloj shkrimet e tij, se janë në libër, ato nuk kanë nevojë për reklamë, sepse janë shkrime dhe analiza që lexohen me ëndje, shijohen artistikisht dhe estetikisht.
Ky libër që kemi në dorë, libri i përjetësisë së Poetit të Vranishtit, na erdhi këtu në qendër të Vranishtit, si një vilë e bukur letrare me 3 kate.
Kati I ka studimet e tij (nxjerrë nga krijimtaria e pabotuar e Avni Varfit). Kati II ka poezi, këngë e valle nëpër flatrat e frymëzimit. Tok me Muhamet Tartarin, me grupin e mirënjohur të Vranishti dhe grupin e fëmijëve të fshatit ishin një dyshe e përsosur kulturore, shembull për të tjerët. Edhe pse në tjetër rrafsh, më sjellin një imazh të Lasgushit me Kutelin. Kati III është me artikuj e studime mbi krijimtarinë e Avniut. Pra, në fillim flet Avniu për të tjerët, në fund flasin të tjerët për Poetin e Dritës. Janë rreth 50 autorë që kanë shkruar për të dhe janë përfshirë në këtë monografi letrare. Ka të tjerë e të tjerë që do të vijojnë të shkruajnë për Avni Varfin. Po shkëpus vetëm një fragment nga çfarë shkruan intelektuali dhe artisti vranishnjot Bashkim Canodemaj (sot emigrant në Belgjikë, tek fëmijët): “Është kënaqësi për mua që përjetoj ngjarje të tilla, lexoj, dëgjoj e shikoj se si një djalë vranishnjot jeton në qiellin e kaltër nëpërmjet vlerave të tij njerëzore dhe poetike, del, na flet dhe komunikon me virtytet e larta njerëzore dhe aftësinë për të na thurur vargje historike dhe dashurie për të na e bërë kohën më të lehtë duke jetuar me ndjenjat e tij. Avni Varfi, një djalë i thjeshtë në një familje të thjeshtë por dinjitoze me babë Nexhipin buzagaz në çdo moment dhe
nënë Kafazen e urtë e fjalëpak, por dashurishumë, na sillnin ne, fëmijëve të asaj kohe, kur shkonim në shtëpinë e tyre atje buzë përroit të Kaurit ku derdhet në lumin Shushicë (lumi i Vlorës, ose lumi i Bardhë quhet në popull) aq emocion e kënaqësi. Si duket, ky ujë e kjo
fëshfërimë gurgulluese e bënë Avniun që të futej në rrjedhat e natyrës bukur, duke na dhuruar ato vargje kënge që ngelet të përjetshme për brezat. E jetoj në heshtje akoma fëmijërinë time n’ ato shtëpi të ndërtuara bukur për kohën dhe n’ato ambiente aq të dashura që i krijonin ata njerëz. Prejardhja, zanafilla dhe karakteri individual i Avni Varfit e bëri njeri dhe poet Frashërlli me të gjitha atributet. Lëvizja e drejtuar e elektroneve që shfaqej në elektricitetin që ai ushtroi, ngacmonin në çdo moment shpirtin e tij pasionant që të na linte këtë trashëgimi që ju,
Aleksandra, keni fatin të ndiqni edhe të shijoni edhe këtë takim të bukur, human e artistik në këtë datë për librin që përmbledh brenda oksigjenin shpirtëror të derdhur në artin e poezisë”.
3. Do të marrë malli, o Anvi dhe falmë të shkruaj dhe dy fjalë më shumë për hir të artit tënd poetik, për dinjitet të gjakut fisnik që kemi!
Avni Varfi dallon për stilin realist, që herë – herë merr horizonte romantike e herë – herë filozofia e poezisë së tij të qep në vend nga tronditja e vargut lakonik, vërtetësisht shkruar dhe ardhur artistikisht bukur, një e veçantë dinjitoze e poezisë Made in Avni Varfi. Nga shqetësimet njerëzore, ekonomike, politike në rrjedhat e kohës, vetëdija kombëtare, kur poeti qytetar e ndjen së brendshmi kushtrimin për të përballuar përbindëshat që të përpijnë dhe frymën, burojnë vargje të tilla të skalitura si monument dhimbjeje, si pasaportë identiteti, spaletë dinjiteti, si manifest lirie:
O Lum’ i Vlorës ku vete,
Asnjëherë nuk pyete,
Rreth me male, rreth me dete,
Nuk të deshën disa shtete,
Luan ishe që në djepe,
Luan ishe, luan mbete.
Në betejat si tërmete,
Djem e burra merr me vetes,
Kush, moj kush, ta prek lirinë,
Ngre në këmbë gjithë Labërinë,
Mitrovicë, gjer në Janinë,
Kush s’ta njohu trimërinë?!
Se kombi kur ka pasur nevojë, të ka folur ty, se trojet, kur i ka shkelur hasmi, ty të kanë kërkuar, t’u dalësh zot tok me vëllezërit e tu, se lirisë, kur i është marrë fryma, sytë nga ti, Lumë i Vlorës i ka hedhur me besim e shpresë. Kështu e lexon Alberti poezinë tënde, more Avni vëllai. Dhe poezia këngëzohet e fiton jetëgjatësi, se rrjedh si krua e merr hapësirë, gjerësi e thellësi, ku noton një anije me busull në shtratin e vjetër e të sigurt të këngës labe, interpretuar aq mjeshtërisht nga grupi i mirënjohur i Vranishtit.
Avni Varfi ishte një poet atdhetar, që nuk kishte nevojë të shfaqej si i tillë. Janë të rrallë poetët besnikë ndaj vendlindjes, sidomos në këtë kohën e vërshimeve tutje, tutje tutje, drejt Tiranës, … deri në Australi …Të paktën në trevën e Vlorës, që njoh mirë, janë vetëm dy: Hiqmet Meçaj, një ndër poetët më të mirë të Shqipërisë, nuk e ndërroi kurrë Vlorën, atë shtëpizën e tij përdhese në lagjen e vjetër të qytetit me Tiranën metropolitane (dhe pse vëllimi i tij poetik “Tokë e pagjumë”, 1983 vlerësohet me çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit”.
As poeti Avni Varfi nuk e ndërroi kurrë Horën e Vranishtit buzë lumit jetëdhënës me Vlorën bregdetare, që të magjeps e të merr mendtë… Edhe pse ishte elektricist, dhe aq i zoti, dhe aq human dhe që sa shumë kërkohej në qytet…
Në një poezi tjetër atdhetare, autori skalit vargun: “Buletinët si sparatanët”… Më mirë shijojeni sipas mënyrës tuaj dhe kënaquni me poezinë e Avniut tonë, se të vijoj komentin e saj. Veç një gjë e them me siguri: kemi qenë fatlumë që e kemi pasur Avniun me poezinë e tij, me shpirtin e
tij, me humanizmin e tij të kthjellët, patjetër dhe me këmbalecat e tij shtyllave elektrike… Ai na i sjell vargjet të tejdukshme, pra sikur i shohim të gjalla, të prekshme. Një imtësi funksionale tejpërmasore:
“Ecim mbi urë, në një shteg të ngushtë këtej një luan , andej një tigër”.
Avniu nuk mund të ishte poet akuariumi, madje shpesh i kalonte me mospërfillje të tillët. Ai ishte poet i hapësirave. Poet i dritës ishte Avniu. Lirikën shoqërore e kishte në shpirt si këmbalecat majë shtyllave. Ai e shikonte realitetin në sy Dhe zhgënjehej jo pak:
“Udhët i kemi të ndryshme në jetë
njësoj këtu, askush nuk i ka,
Budallenjtë pengohen e bien në kënetë
Të mençurit fluturojnë e ngjiten me krah.
Ata që bien kthehen në ngjala, peshq, gjarpërinj
Të tjerët ngjiten e bëjnë karrierë,
Me kokën ulur e qepen si minj
Të çajnë ndonjë vrimë, poshtë, nën derë”.
Po sa aktuale është edhe sot kjo poezi, more Avni, që paç dritë, se sa shumë dritë na dhe!
Alegoria, mjetet stilistike, tematika pasur dhe arti i lartë realizues e bëjnë Avniun të jetojë në poezi, në pasjetë. Ai është regjistruar në kujtesën tonë me poezitë e tij, sidomos me vëllimet poetike “Kthehem në ekran”, (2000) dhe “S’kam kohë”, (2007) në një lirik aq të ndjerë, që ka
frymëmarrje të thellë, që na fal emocione të fuqishme e ngjyra të papërsëritura, aq të veçanta, me një figuracion të tijin, që i nxjerr ngjyrat në diell aq bukur, krejt origjinal dhe shumë të kursyer. Ai ka shkruar pak, se e ka çmuar fjalën si të shenjtë e nuk mund të shpërdoren shkronjat e gjuhës shqipe, që janë “flori e kaluar floririt, o tunxh!”.
Si tek pakkush poetë që lëvrojnë poezinë dhe kanë jetë aktive në letërsi, tek Avniu, tradita dhe modernia kanë udhëtuar qetë, bukur dhe përsosmërisht në harmoni me njëra-tjetrën, për të prodhuar letërsi të mirë.
Nuk do të flas për prozën e tij, për monografitë, ku shkëlqeu edhe në rrafshin e konceptimit strukturor dhe të ndërtimit përmbajtësor, as për vështrimet e tij folklorike dhe etnografike, apo mendimet e tij për autorë të tjerë, por një fjali dua që ta ritheksoj: Monografitë e Avni Varfit, sidomos “Kapedani i Labërisë: Azem Sulo”, Tiranë, 2000 apo “Puthje në Berlin”, veçmas kjo kushtuar Azis Qerim Rexhepaj janë shembëlltyrë frymëzimtarie për çdo studiues që guxon të trokasë e të futet në portën e rëndë të gjurmimeve monografike kushtuar njerëzve të shquar të
pushkës dhe të penës.
Po rikthehem tek një poezi ku autori, si poet i vendlindjes, shfaq një dashuri reale, të bukur, të pastër, shumëpërmasore, të dëlirë, ekzistenciale, aq të dinjitetshme:
“Nëpër qiellin e vendlindjes,
muza ime rreh në erë,
pranë të gjallëve
pranë të vdekurve,
vargu im dritë merr.
edhe ikën nëpër male,
eh, vise Labërie,
bëhet këngë e ndez stralle,
nëpër shkrepa dashurie”.
Aty, tek rrënjët e letërsisë, pranë vatrës së zjarrit, te shtëpia e Poetit, buzë Lumit të Bardhë, bekuar nga uji i kulluar dhe gurët çuditërisht të bardhë të Lumit tonë dhe dielli që shkon i lodhur në Çikë, vetëm të ditë para fluturimit të Zogut të Dritës, më 1 Tetor 2022, në Vranishtin e
historisë dhe valles së rëndë, e thuri këtë poezi si testament shpirti.
Vranisht, 20. 08.2025
Vlorë, 12 Janar 2026



