Temë për diskutim: Shkrimi i dorës në arsimin bashkëkohor-një braktisje e (pa)justifikueshme në epokën dixhitale
MARGJINALIZIMI I SHKRIMIT TË DORËS NË KURRIKULAT BASHKËKOHORE-
IMPLIKIMET DIDAKTIKE,NEURO-PEDAGOGJIKE DHE KULTURORE
—————————————————————————–
“Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar ndë kartë të botës."- alarmonte gjuhëtari ynë i njohur,Konstandin Kristoforidhi.
———————————————————————————
Shkruan: Ragip GJOSHI
Abstrakt
Në kushtet e dixhitalizimit të përshpejtuar të arsimit, shkrimi i dorës po humbet gradualisht statusin e tij si aftësi themelore në kurrikulat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky shkrim synon të analizojë në mënyrë kritike politikat arsimore bashkëkohore, me fokus në kurrikulat e Shqipërisë, Kosovës dhe hapësirës evropiane, duke argumentuar se margjinalizimi i shkrimit të dorës përbën një gabim serioz didaktik, neuro-pedagogjik dhe kulturor. Në dritën e nismës së UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës, i cili rrezikon të zhduket nga përdorimi masiv i teknologjisë. Studimet tregojnë se shkrimi me dorë është thelbësor për zhvillimin njohës, përqendrimin dhe aftësitë psikomotore te fëmijët.Projekti synon rikthimin e tij në shkolla, nxitjen e praktikës gjatë gjithë jetës dhe ruajtjen e trashëgimisë së shkruar.
Në epokën dixhitale, shkrimi i dorës mbetet një pjesë kyçe e identitetit komb;tar dhe të nxënit njerëzor,andaj trajtesa thekson rëndësinë e tij për zhvillimin kognitiv, përvetësimin e gjuhës amtare dhe ruajtjen e trashëgimisë dokumentare.
Fjalë kyçe: shkrimi i dorës, didaktikë, kurrikulë, neuro-pedagogji, UNESCO, arsimi fillor
Hyrje
Politikat arsimore të dy dekadave të fundit karakterizohen nga një orientim i theksuar drejt zhvillimit të kompetencave dixhitale, shpesh në dëm të aftësive bazë gjuhësore.
Në këtë kontekst, shkrimi i dorës është reduktuar në një aftësi funksionale minimale ose është zhvendosur në periferi të procesit mësimor. Nisma e UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës (UNESCO, 2024) e vë në pikëpyetje këtë orientim dhe nxit një rishikim kritik të kurrikulave ekzistuese nga perspektiva didaktike dhe zhvillimore.
1.Shkrimi i dorës – trashëgimi kulturore dhe domosdoshmëri pedagogjike në epokën dixhitale
Nisma e fundit e UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës vjen në një moment kritik, kur teknologjia dixhitale po e zhvendos gjithnjë e më shumë shkrimin tradicional drejt harresës. Kjo nismë nuk ka thjesht karakter nostalgjik, por ngre një debat të thellë kulturor, historik dhe pedagogjik: a është shkrimi i dorës një aftësi e tejkaluar apo një themel i pazëvendësueshëm i qytetërimit njerëzor?
Kaligrafia, si art i shkrimit të bukur, nuk është vetëm estetikë grafike, por pasqyrim i mendimit, disiplinës dhe identitetit kulturor të popujve. Historia e shkrimit, nga piktogramet e lashta te alfabetet fonetike, dëshmon se shkrimi ka qenë mjeti kryesor i ruajtjes dhe transmetimit të dijes. Çdo dokument i shkruar me dorë – kodekse, dorëshkrime fetare, akte juridike, letra personale ,dokumente administrative,diplomatike
– mbart jo vetëm informacion, por edhe gjurmën individuale dhe kolektive të epokës së vet.
Evoluimi i shkrimit të dorës lidhet ngushtë me zhvillimin e administratës, arsimit dhe kulturës. Për shekuj me radhë, dokumentet janë shkruar me dorë dhe vetëm falë njohjes së shkrimeve të vjetra (paleografisë dhe kaligrafisë) sot mund të deshifrojmë arkivat historike. Pa shkrimin e dorës, një pjesë e madhe e kujtesës kulturore të njerëzimit do të mbetej e pakuptueshme.
Në këtë kuptim, shkrimi i dorës është kulturë e popujve.Me të drejt moto e rilindësvetanë ishte : “Pa shkrim të gjuhës shqipe s’do të ketë as Shqipëri”. Prandaj, shtrohet pyetja nëse shkolla dhe gramatika duhet ta ruajnë apo ta braktisin shkrimin e dorës merr një rëndësi thelbësore. Braktisja e tij do të nënkuptonte jo vetëm varfërim kulturor, por edhe dobësim të proceseve themelore të të nxënit.
Nga pikëpamja psiko-pedagogjike, shkrimi i dorës është i pazëvendësueshëm në mësimin fillestar të gjuhës amtare. Studimet tregojnë se fëmijët që shkruajnë me dorë zhvillojnë më mirë aftësitë motorike të imëta, përqendrimin, kujtesën dhe lidhjen midis tingullit, shkronjës dhe kuptimit. Procesi i shkrimit manual aktivizon zona të shumta të trurit, duke ndihmuar jo vetëm në lexim dhe shkrim, por edhe në strukturimin e mendimit. Në të kundërt, varësia e hershme nga tastierat dhe ekranet mund të lidhet me vështirësi si disgrafia, disleksia apo probleme të vëmendjes.
Nisma e UNESCO-s vlerësoj se është, në këtë kontekst, një thirrje për ekuilibër, jo për refuzim të teknologjisë. Shkrimi dixhital është i domosdoshëm në botën moderne, por nuk duhet të zëvendësojë plotësisht shkrimin e dorës, veçanërisht në arsimin fillor.
Ruajtja dhe kultivimi i shkrimit me dorë do të thotë ruajtje e identitetit, e trashëgimisë kulturore dhe e cilësisë së të nxënit.
Andaj, mbrojtja e shkrimit të dorës nuk është një hap pas në kohë, por një investim për të ardhmen. Ashtu siç thekson UNESCO, shkrimi i dorës është më shumë se një teknikë: është një element kyç i zhvillimit njerëzor, i kulturës dhe i dijes, që duhet të mbrohet, të mësohet dhe të transmetohet ndër breza, edhe në epokën dixhitale.
2. Shkrimi i dorës në perspektivë historike dhe kulturore
Historia e shkrimit dëshmon se ai ka qenë një nga instrumentet themelore të organizimit shoqëror dhe të transmetimit të dijes. Kaligrafia, si formë e kultivuar e shkrimit të dorës, nuk përfaqëson vetëm një teknikë grafike, por një sistem të strukturuar shprehjeje mendore dhe identitare (Coulmas, 2003). Çdo dorëshkrim mbart jo vetëm përmbajtje semantike, por edhe gjurmë kulturore, sociale dhe individuale të epokës së vet.
Margjinalizimi i shkrimit të dorës në arsimin formal rrezikon të shkëpusë lidhjen midis nxënësit dhe traditës së shkruar, duke e reduktuar gjuhën në një instrument thjesht utilitar dhe teknik.
3. Argumenti neuro-pedagogjik dhe didaktik
Hulumtimet në fushën e neuroshkencës dhe psikologjisë së zhvillimit tregojnë se shkrimi i dorës aktivizon një rrjet kompleks procesesh njohëse, përfshirë memorien afatgjatë, përqendrimin dhe integrimin sensomotor (Longcamp et al., 2006). Ndryshe nga shkrimi dixhital, shkrimi manual kërkon koordinim të ndërlikuar sy–dorë dhe përfshin zhvillimin e aftësive psikomotore të imëta, thelbësore për të nxënit në moshat e hershme.
Nga pikëpamja didaktike, shkrimi i dorës përbën bazën e mësimit fillestar të gjuhës amtare. Reduktimi i praktikës së tij lidhet me rritjen e vështirësive në lexim dhe shkrim, si dhe me çrregullime specifike të të nxënit, si disgrafia dhe disleksia (Berninger, 2012).
Këto fenomene duhet të interpretohen jo vetëm si probleme individuale, por si pasoja sistemike të politikave kurrikulare të orientuara në mënyrë të njëanshme drejt dixhitalizimit.
4. Analizë kritike e kurrikulave shqiptare, kosovare dhe evropiane
Kurrikulat zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë, të ndërtuara në përputhje me Kornizën Evropiane të Kompetencave Kyçe për Nxënësit (European Commission, 2018), theksojnë zhvillimin e kompetencës dixhitale që në arsimin fillor. Megjithëse shkrimi i dorës përfshihet në dokumentet kurrikulare, ai trajtohet kryesisht si aftësi kalimtare dhe jo si objektiv formues afatgjatë.
Në nivel evropian, standardizimi i kurrikulave ka prodhuar një qasje teknokratike, ku matshmëria dhe performanca afatshkurtër mbizotërojnë mbi nevojat zhvillimore të nxënësit. Si pasojë, vihet re një paradoks pedagogjik: nxënës të aftë në përdorimin e teknologjisë, por me kompetenca të dobëta në shkrimin e strukturuar dhe në mendimin kritik (OECD, 2021).
5. Shkrimi i dorës dhe trashëgimia dokumentare
Një dimension i shpeshneglizhuar në politikat arsimore është lidhja midis shkrimit të dorës dhe aftësisë për të lexuar e interpretuar dokumentet historike. Arkivat, dorëshkrimet dhe tekstet e vjetra përbëjnë një pasuri të pazëvendësueshme kulturore dhe shkencore. Pa edukim sistematik në shkrimin dhe leximin e dorës, brezat e ardhshëm rrezikojnë të humbasin kompetencën për të deshifruar dhe kuptuar
trashëgiminë e tyre historike (Petrucci, 1999).
Diskutimi për politikat arsimore kombëtare për shkrimin e dorës dhe qëndrimet/parimet e UNESCO-s prekin dy fusha të lidhura.por jjo identike. Më poshtë i trajtoj veç e veç, me krahasime konkrete për gjendjen se si trajtohet shkrimi i dorës (sidomos shkronjat e lidhura/kursive) në kurrikulat e vendeve të tjera në Evropë.Në Francë,shkrimi kursiv është i detyrueshëm që në arsimin fillor.Konsiderohet pjesë e identitetit gjuhësor dhe e formimit intelektual.Tekstet shkollore dhe vlerësimi bazohen në shkrim dore.Në Gjermani ka pasur reforma: nga shkrimet tradicionale (Lateinische Ausgangsschrift) drejt “Grundschrift” (shkrim më i lirë).Atje nxënësit fillimisht mësojnë shkronja të ndara, por lidhja e shkronjave mbetet e rekomanduar, jo gjithmonë e detyrueshme.Vendimi shpesh u lihet landeve (shteteve federale).Ndërkaq,në Finlandë që nga viti 2016, kursivi nuk është i detyrueshëm.Fokusi është te lexueshmëria, shkrimi funksional dhe aftësitë digjitale.
Megjithatë, shkrimi i dorës nuk është hequr, vetëm është bërë më fleksibël.Kurse në Itali, Spanjë dhe Austri kursivi vazhdon të mësohet si pjesë standarde e kurrikulës fillore. Konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin motorik dhe gjuhësor.Ndërsa në
Mbretërinë e Bashkuar“Joined-up handwriting” kërkohet deri në fund të arsimit fillor.Nxënësit vlerësohen për rrjedhshmëri dhe qëndrueshmëri në shkrim. Kjo problematikë jashtë Evropës,në SHBA nuk ka standard kombëtar unik.Disa shtete e kanë rikthyer kursivin pas kritikave ndaj varësisë nga tastiera.Argumentet kryesore: lidhja me leximin, memorien dhe dokumentet historike.Në Japoni dhe Kore e Jugut
shkrimi i dorës ka status shumë të lartë kulturor.Kaligrafia dhe saktësia grafike janë pjesë e edukimit formal.
Qëndrimi i UNESCO-s dhe arsyet për masa “mbrojtëse”është e rëndësishme të
sqarohet:
se UNESCO nuk ka nxjerrë një vendim specifik për mbrojtjen e shkrimit kursiv si lëndë e detyrueshme shkollore.Arsyet kryesore të UNESCO-s janë ruajtja e trashëgimisë kulturore jomateriale,sepse shkrimi i dorës konsiderohet pjesë e praktikave kulturore dhe gjuhësore.Ndërsa humbja e tij nënkupton dobësim të lidhjes me dokumente historike, arkiva dhe identitet gjuhësor.Si specialisgt i fushës këtë vendim e vlerësoi si përpjekje për një balancë mes digjitales dhe tradicionales.Sheshazi vërehet se UNESCO nuk është kundër teknologjisë, por thekson nevojën për bashkëjetesë:aftësi digjitale dhe aftësi bazë shkrimore.
Edhepse shumica e vendeve nuk e kanë hequr shkrimin e dorës, por disa e kanë bërë më fleksibël.Kursivi mbetet i fortë në vende me traditë gjuhësore të theksuar.UNESCO e sheh shkrimin e dorës si:pasuri kulturore,mjet zhvillimi intelektual,element barazie arsimore.
6. Përfundime dhe rekomandime
Nisma e UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës duhet të shërbejë si pikë referimi për rishikimin e politikave arsimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Rikthimi i shkrimit të dorës në qendër të arsimit fillor nuk përfaqëson një kthim pas, por një domosdoshmëri didaktike dhe neuro-pedagogjike. Në dekadat e fundit, politikat arsimore kombëtare dhe ndërkombëtare, nën presionin e teknologjizimit të shpejtë, kanë orientuar sistemet shkollore drejt dixhitalizimit të parakohshëm të proceseve të të nxënit. Në këtë kontekst, shkrimi i dorës është trajtuar gjithnjë e më shpesh si një aftësi dytësore, madje e tejkaluar. Nisma e fundit e UNESCO-s për mbrojtjen e shkrimit të dorës ekspozon qartë
një dështim konceptual të këtyre politikave dhe nevojën urgjente për rishikim të tyre nga
pikëpamja didaktike, kulturore dhe neuro-pedagogjike.
Nga një perspektivë historike dhe antropologjike, shkrimi i dorës ka qenë një nga instrumentet themelore të zhvillimit të qytetërimit njerëzor. Evolucioni i shkrimit, nga format piktografike te alfabetet fonetike dhe kaligrafia, dëshmon se shkrimi nuk ka qenë kurrë thjesht mjet komunikimi, por strukturë mendimi dhe bartës kulture. Çdo politikë arsimore që e redukton shkrimin e dorës në një aftësi funksionale minimale mohon këtë realitet dhe rrezikon ndërprerjen e vazhdimësisë kulturore.
Në planin didaktik, margjinalizimi i shkrimit të dorës përbën një gabim të rëndë metodologjik. Studimet neuroshkencore dhe pedagogjike kanë vërtetuar se shkrimi manual aktivizon një rrjet kompleks procesesh njohëse: koordinimin sy–dorë, zhvillimin e aftësive psikomotore të imëta, përqendrimin, memorien afatgjatë dhe lidhjen organike ndërmjet leximit dhe shkrimit. Politikat që promovojnë përdorimin e tastierës në fazat fillestare të arsimit bien ndesh me parimet bazë të didaktikës së gjuhës amtare dhe të psikologjisë së zhvillimit.
Veçanërisht problematike është tendenca e standardeve ndërkombëtare për të unifikuar kurrikulat mbi bazën e kompetencave dixhitale, duke anashkaluar kontekstet kulturore dhe nevojat zhvillimore të fëmijëve. Kjo qasje teknokratike prodhon një paradoks arsimor: nxënës që zotërojnë mjete teknologjike, por shfaqin vështirësi serioze në shkrim, lexim kritik dhe strukturim mendimi. Rritja e rasteve të disgrafisë, disleksisë dhe problemeve të vëmendjes nuk mund të trajtohet si fenomen individual, por si pasojë sistemike e politikave të gabuara edukative.
Nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, braktisja e shkrimit të dorës rrezikon edhe aftësinë për të lexuar dhe interpretuar dokumentet historike. Arkivat, dorëshkrimet dhe tekstet e vjetra nuk janë thjesht objekte muzeale, por burime aktive të dijes. Pa edukim sistematik në shkrimin dhe leximin e dorës, brezat e ardhshëm do të humbasin kompetencën për të deshifruar historinë e tyre.
Në këtë kuadër, nisma e UNESCO-s duhet lexuar jo si një rekomandim i butë, por si një akt kritik ndaj politikave arsimore aktuale. Ruajtja e shkrimit të dorës kërkon ndërhyrje konkrete: rikthimin e tij si objektiv themelor në arsimin fillor, rivlerësimin e kaligrafisë si disiplinë formuese, dhe vendosjen e kufijve të qartë ndaj dixhitalizimit të pakontrolluar në moshat e hershme.
Në përfundim, shkrimi i dorës nuk është një aftësi e së shkuarës, por një komponent thelbësor i zhvillimit kognitiv, i identitetit kulturor dhe i autonomisë intelektuale. Politikat arsimore që e neglizhojnë këtë fakt nuk janë as moderne, as progresive, por didaktikisht të papërgjegjshme. Mbrojtja e shkrimit të dorës është, në thelb, mbrojtje e vetë arsimit.
Rekomandohet:forcimi i mësimdhënies së shkrimit të dorës dhe elementeve të kaligrafisë në arsimin fillor;vendosja e kufijve të qartë për përdorimin e teknologjisë në moshat e hershme dhe rishikimi kritik i kurrikulave kombëtare dhe evropiane në përputhje me nevojat zhvillimore të fëmijës. Mbrojtja e shkrimit të dorës është, në thelb, mbrojtje e cilësisë së arsimit, e trashëgimisë kulturore dhe e autonomisë intelektuale të brezave të ardhshëm.
Referenca
1. Berninger, V. (2012). Strengthening the mind’s eye: The case for continued handwriting instruction in the 21st century. Oxford University Press.
2. Coulmas, F. (2003). Writing systems: An introduction to their linguistic analysis.
Cambridge University Press.
3. European Commission. (2018). Key competences for lifelong learning. Publications Office of the European Union.
4. Longcamp, M., Zerbato-Poudou, M. T., & Velay, J. L. (2006). Learning through hand- or typewriting influences visual recognition of letters. Acta Psychologica, 119(1), 67–79.
5. OECD. (2021). Education in the digital age. OECD Publishing.
6. Petrucci, A. (1999). Writing, reading and power. University of Chicago Press.
7. UNESCO. (2024). Handwriting as intangible cultural and educational heritage.
UNESCO Publishing.



