Tregim nga Petrit Malushi „Gjinia e emrit ?!“

Nga Petrit Malushi
„Gjinia e emrit ?!“
Ra zilja. Filloi ora e tretë. Kisha mësim me klasën 11-A. Me regjistër në dorë dola nga salla e mësuesve, që ndodhej në katin e parë të ndërtesës trekatëshe. Hyra në klasë. Përshëndeta. U ula në katedër. Fillova apelin. Kontrollova detyrat e shtëpisë. Pyeta tre-katër nxënës për kontroll të përgjithshëm. Dy të tjerë i ngrita në tabelë. Punuan nga një ushtrim. I vlerësova. Kërkova vëmendje për temën e re.
Qetësi e plotë. „Gjinia e emrit“. Pesëmbëdhejtë minuta fola. Shkruajta e fshiva në tabelë. Fytyrën e lëvizja nga klasa në tabelë dhe anasjelltas. Thashë përkufizime e solla shembuj. Shtjelloja materialin. Shkumësin e rrëshkitja horizontalisht e vertikalisht mbi tabelën e lëmuar ngjyrë mente. Tri herë e fshiva me dorën e majtë. Katër herë e mbusha cep më cep me dorën e djathtë. Materiali ishte i bollshëm. Thashë se për emrat kemi tri gjini gramatikore. Si tregues gjuhësor të tyre janë mbaresat, në numrin njëjës dhe në trajtën e shquar. Konkretizova për
secilën. Rendita emra të gjinisë mashkullore, nga ata që marin mbaresën -i dhe nga ata që marin mbaresën -u. Vazhdova me emra të gjinisë femërore që marin mbaresat -a ose -ja. Te emrat e gjinisë asnjanëse që marin mbaresat -it dhe -t undala pak më gjatë, për mënyrën e formimit të tyre, të kalimit nga klasa e mbiemrave tek ajo e emrave. Ndërtova fjali. Nxënësit dëgjonin me vëmendje.
Treçereku i kësaj klase ishte me nota nënta e dhjeta. Gjatë minutave të përforcimit të njohurive vërejta i kënaqur se tema ishte kuptuar. I orientova për detyrat e shtëpisë. Kishin mbetur edhe disa minuta deri në përfundim të orës.
Mendova t’i mbushja për t’ua bërë më tërheqëse temën e re. Shtova se te frymorët dhe të gjitha gjallesat e tjera gjinitë janë të dallueshme edhe po të vërehen gjinitë biologjike të tyre. Realisht janë vetëm dy gjini biologjike, mashkullore dhe femërore. „Mësues, a mundet që një frymor ose një gjallesë ta ndryshojë gjininë, me të cilën është krijuar?“,- më erdhi një pyetje e befasishme prej një nxënësi nga rreshti i mesit. E vështrova i habitur. „Si ?! Nuk të kuptova…“.
“Po, ja biologjikisht të lindësh i gjinisë mashkullore dhe pas ca vitesh të kalosh në gjininë femërore, ose të lindësh femër e më pas të bëhesh mashkull.Të ndodhë sikur kapërcen ylberin“,- vazhdoi ai me tërë seriozitetin e moshës. „Ç’thoni kështu?!“ Nënqesha. Në çast e mblodha veten. „E tillë pyetje duhet ta ketë një shtysë“, – mendova. Të gjithë nxënësit po prisnin përgjigjen time. „Jo,- fola me siguri absolute. – As që mund të mendohen ndryshime të tilla e jo më të realizohen“. „Shkenca sot, të pamundurën e bën të mundur“- u shpreh një tjetër nxënës. Biseda po merrte një drejtim interesant. Po bluaja argumente për t’u mbrojtur. „Do t’ju kërkoj shumë falje,- vazhdova,- për shembujt që mund t’ju sjell,
ju lutem. Unë nuk jam biolog. Por nuk kam dëgjuar që një luaneshë të bëhet luan, një ari të bëhet arushë, një dele të bëhet dash apo të kundërtat e tyre. Një cjap nuk mund të bëhet dhi ose një dhi të bëhet cjap. Një kalë s’mund të bëhet pelë, apo një lopë s’mund të bëhet ka, një pulë nuk mund të bëhet gjel…E kështu mund të vazhdojmë me kafshë, shpendë e gjallesa të tjera“. U zgjata për t’i bindur se mendimet e tyre nuk qëndronin. Dhe buzëqesha me sinqeritet. Edhe klasën e mbuloi humori. „Po çfarë gjinie biologjike janë mësues Lani e mësuese Zena?“ , – pyeti një nxënës nga fundi i rreshtit të majtë, kur ra pak ampituda e humorit. Ah, tani e kuptova që finalja e gjithë situatës së krijuar paska qenë kjo. Ç’mund t’ju thosha?! Në fillim të vitit mësimor në vazhdim, në shkollën tonë kishin ardhur dy mësues të rinj, dyzet-dyzet e pesë vjeç. Më parë kishin qenë në shkolla të tjera.
Mësues Lani para katër vitesh kishte qenë mësuese Lana. Më dëshirë kishte bërë disa ndërhyrje „të specializuara“ dhe kishte ndodhur mrekullia. Nuk vishte më fustan, bluza me tantella e jakë dekolde. As këpucë e sandale me taka. Vishte pantallona e këpucë burrash. Gjoksin e kishte bërë petë. Vetullat nuk i harkonte dhe nuk i rrallonte. Qerpikët nuk i bënte me rimel dhe thonjtë nuk i lyente. Flokët i kishte shkurtuar, i qethte kare dhe faqet e mjekrrën i rruante çdo ditë. Ndërsa mësuese Zena para tre vitesh kishte qenë mësues Zeni. Por u kishte thënë
„lamtumirë“ përgjithmonë shijeve dhe veshjeve mashkullore. Kishte vepruar në kah të kundërt me kolegun. Pantallonat i kishte zëvendësuar me fustane me lule, bluzet golf me ato me jakë të hapur. Mbathte këpucë e sandale me taka të larta. Kishte depiluar pulpat e këmbëve. Rruhej dy herë në ditë. Tonifikonte fytyrën. Të kuqtë e buzëve, me ngjyra të ndezura, e ndërronte çdo ditë. Qerpikët i ngarkonte si me bojë të zezë këpucësh nga ajo e NISH Kimikes. Vathët i kishte të rëndë e të zgjatur. Mbante varur gjerdanë me rruaza e perla. Thonjtë e gishtave të dorës i kishte me majë dhe i ngjyroste. Flokët e zgjatur i oksigjenonte…“. I zënë ngushtë po mendoja si mund të dilja nga kjo situatë. „Kujtoni të dashur nxënës se për disa folje kemi thënë që janë të parregullta dhe nuk futen në asnjë zgjedhim. Me sa duket edhe te frymorët ka nga ata që janë të parregullt me gjinitë biologjike. Përpjekje të kota. Nuk mund të zhbëhen ç‘ka krijuar Zoti dhe natyra. Ëndërra në erë“. Ndalova për një frymëmarrje. Vazhdova „Kur të keni mësim me ta, pyetini.
Vetë do t’jua thonë me saktësi gjinitë biologjike“. Ora e mësimit kishte mbaruar.