Fjalori si pasqyrë e gjuhës dhe instrument i normës
TFJALORI I MADH I GJUHËS SHQIPE: NJË NDËRMARRJE THEMELPORE E LEKSIKOGRAFISË BASHKËKOHORE
“Fjalorët janë magazinat e mëdha të pasurisë gjuhësore të një kombi.”- (Gj. Shkurtaj)
Ragip GJOSHI
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përfaqëson ndërmarrjen më të gjerë leksikografike në historinë e shqipes, si nga vëllimi i njësive leksikore, ashtu edhe nga funksionet e tij normëzuese dhe informuese. Ky punim synon të analizojë rëndësinë e kësaj vepre për
zhvillimin e gjuhës shqipe, për leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare, duke u ndalur në parimet e hartimit, vështirësitë metodologjike, si dhe në përparësitë dhe mangësitë e saj. Trajtimi mbështetet në qasje shkencore deskriptive dhe kritike, duke e parë fjalorin si instrument standardizimi, por edhe si arkiv të gjallë të pasurisë leksikore të shqipes. Ky punim analizon hartimin dhe publikimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, si vepra më voluminoze leksikografike e shqipes, duke u ndalur në parimet metodologjike dhe institucionale që kanë shoqëruar realizimin e tij. Në fokus vendoset mungesa e bashkëpunimit ndërakademik ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe implikimet që kjo qasje ka për standardizimin, njësimin dhe përfaqësimin gjithëkombëtar të leksikut të shqipes.Fjalori… përfaqëson ndërmarrjen më voluminoze dhe më ambicioze të leksikografisë shqiptar deri më sot. Me mbi njëqind mijë njësi leksikore dhe një aparat të gjerë kuptimor e frazeologjik, kjo vepër synon të pasqyrojë në mënyrë gjithëpërfshirëse leksikun shqipes bashkëkohore dhe të konsolidojë normën letrare standarde. Ky artikull e trajton Fjalorin si arritje madhore të leksikologjisë shqiptare, por njëkohësisht e problematizon procesin e hartimit dhe dimensionin institucional të standardizimit të leksikut. Duke u mbështetur në parimet teorike të leksikologjisë dhe leksikografisë, studimi argumenton se mungesa e një konsensusi të gjerë ndërinstitucional e relativizon pretendimin enfjalorit për përfaqësim mbarëkombëtar, duke e vendosur veprën në një tension të vazhdueshëm midis autoritetit shkencor dhe legjitimitetit normativ.
Fjalëkyçe: leksikologji, leksikografi, fjalor normativ, shqipja standarde, standardizim gjuhësor
Fjalori dhe leksikologjia themele të dijes gjuhësore Fjalori përbën një nga format më të plota të përfaqësimit të gjuhës në trajtë të kodifikuar.
Ai nuk është thjesht një listë fjalësh me shpjegime kuptimore, por një sistem i organizuar njohurish për leksikun, për strukturat semantike, për normën gjuhësore dhe për përdorimin real të gjuhës në kohë dhe hapësirë. Në këtë kuptim, fjalori është produkt i drejtpërdrejtë i leksikologjisë, si degë e gjuhësisë që studion fjalën, kuptimin, strukturën dhe marrëdhëniet leksikore, si dhe i leksikografisë, e cila merret me
parimet, metodat dhe praktikat e hartimit të fjalorëve. Leksikologjia ofron bazën teorike, ndërsa leksikografia realizon zbatimin praktik të kësaj baze në një vepër konkrete. Një fjalor i madh shpjegues përfaqëson kulmin e bashkëveprimit ndërmjet këtyre dy fushave, sepse synon të përfshijë, të përzgjedhë, të sistemojë dhe të normëzojë pasurinë leksikore të një gjuhe në një stad të caktuar të
zhvillimit të saj.
1. Nevoja historike dhe shkencore për një fjalor të madh të shqipes Nëse i bëhet një lexim kritik në dritën e parimeve të leksikologjisë dhe leksikografisë shqiptare,hetohet se gjuha shqipe, si gjuhë me traditë të gjatë historike dhe me njështrirje të gjerë gjeografike, ka njohur zhvillime të vazhdueshme leksikore, sidomos gjatë dekadave të fundit. Ndryshimet shoqërore, kulturore, teknologjike dhe
komunikative kanë prodhuar shtresa të reja fjalësh, kuptimesh, shprehjesh dhe strukturash frazeologjike, të cilat nuk mund të pasqyroheshin më në mënyrë tënmjaftueshme nga fjalorët e vëllimit të mesëm të shekullit XX.
Në këtë kontekst, hartimi i një fjalori të madh shpjegues paraqitet si domosdoshmëri shkencore dhe kulturore, sepse ai:plotëson një boshllëk të ndjeshëm nëbinfrastrukturën gjuhësore të shqipes;ofron një pasqyrë më të plotë të leksikut aktiv dhe pasiv;shërben si instrument normëzues për përdorimin e shqipes standarde;dhe krijon bazë të qëndrueshme për studime të mëtejshme leksikologjike, semantike dhe
sociolinguistike.
2. Rëndësia e Fjalorit të madh për gjuhën shqipe
Rëndësia e një fjalori të madh për gjuhën shqipe shfaqet në disa plane themelore:
Rëndësia normëzuese,rëndësia normëzuese,dhe rëndësia kulturore dhe identitare. Fjalori i madh ka funksion parësor normativ. Ai përcakton se cilat njësi leksikore janë pjesë e normës letrare dhe si duhet të përdoren ato në ligjërim të shkruar e të folur. Në këtë mënyrë, ai kontribuon në:ruajtjen e kohezionit gjuhësor;shmangien e përdorimeve të paqëndrueshme ose të pasakta;dhe forcimin e standardit në të gjitha fushat e
komunikimit publik. Krahas normës, fjalori përfshin edhe elemente informuese, duke pasqyruar forma jo normative, dialektore ose historike, të shënuara si të tilla. Kjo e bën fjalorin jo vetëm një mjet rregullues, por edhe një arkiv të gjallë të kujtesës gjuhësore.
Fjalori shërben si dëshmi e pasurisë shprehëse të shqipes dhe si element i rëndësishëm i identitetit kombëtar. Përmes tij ruhen dhe transmetohen mënyra të menduarit, përfytyrimit dhe shprehjes së realitetit, të formuara ndër shekuj.
3. Rëndësia për leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare
Nga pikëpamja shkencore, fjalori i madh përbën:një laborator të dhënash për analizën e strukturës leksikore dhe semantike të shqipes;një pikë referimi për studimin e marrëdhënieve sinonimike, antonimike, hiperonimike dhe frazeologjike;dhe një model metodologjik për hartimin e fjalorëve të specializuar ose të tipave të tjerë. Ai shënon gjithashtu një stad të ri në zhvillimin e leksikografisë shqiptare, duke
konsoliduar përvojën e mëparshme dhe duke e çuar atë drejt standardeve bashkëkohore, përfshirë edhe dimensionin digjital.
4. Udhë e hartimit dhe parimet metodologjike
Hartimi i një fjalori të këtij lloji kërkon:një projekt të qartë shkencor;përcaktim të saktë të kritereve të përzgjedhjes së leksikut;mbështetje në korpuse të gjera tekstesh të shkruara dhe të folura;dhe përdorimin e kartotekave leksikore dhe frazeologjike.
Procesi përfshin faza të shumta: mbledhjen e materialit, seleksionimin, përpunimin semantik, shënimin gramatikor dhe stilistik, redaktimin shkencor dhe teknik, si dhe verifikimin e vazhdueshëm të normës.
5. Vështirësitë në hartimin e fjalorit
Ndër vështirësitë kryesore mund të veçohen:përmasat shumë të mëdha të materialit leksikor;larmia territoriale dhe stilistike e shqipes;përcaktimi i kufirit ndërmjet normës dhe përdorimit real;dhe dinamika e vazhdueshme e gjuhës, që e bën fjalorin një vepër
gjithnjë të hapur ndaj plotësimeve. Këtyre u shtohen edhe vështirësitë institucionale dhe organizative, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në koherencën dhe pranueshmërinë e gjerë të veprës.
6. Rëndësia e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe: arritje kulmore leksikologjike apo standardizim pa konsensus mbarëkombëtar?
Fjalori, si formë e kodifikuar e dijes gjuhësore, përbën një mjet themelor për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës standarde. Në rastin e shqipes, nevoja për një fjalor të madh shpjegues ka qenë e ndjeshme, për shkak të ndryshimeve të thella shoqërore, kulturore ndhe teknologjike që kanë sjellë zgjerim të ndjeshëm të leksikut.
Rëndësia e kësaj vepre qëndron, së pari, në funksionin e saj normëzues, duke përcaktuar përdorimin e qëndrueshëm të fjalëve në gjuhën letrare. Së dyti, ajo ka funksion pasqyrues, pasi përfshin njësi leksikore nga shtresa të ndryshme stilistike, historike dhe territoriale, të shënuara sipas statusit të tyre gjuhësor.
Nga pikëpamja leksikologjike, fjalori ofron një bazë të gjerë të dhënash për studimin e strukturës semantike dhe frazeologjike të shqipes. Nga ana leksikografike, ai shënon një stad të ri metodologjik, duke bashkuar traditën me kërkesat bashkëkohore, përfshirë
edhe format digjitale të konsultimit.
Megjithatë, përmasat e mëdha të materialit, dinamika e gjuhës dhe sfidat institucionale paraqesin vështirësi objektive, të cilat kërkojnë përditësim të vazhdueshëm dhe bashkërendim më të gjerë shkencor.
Fjalori si objekt studimi gjuhësor është një nga format më të rëndësishme të institucionalizimit të gjuhës. Ai përfaqëson ndërthurjen e teorisë leksikologjike me praktikën leksikografike dhe shërben si bazë për normëzimin dhe kultivimin e gjuhës standarde.
Nevoja për një Fjalor të madh shpjegues,pas disa dekadash përdorimi të fjalorëve të vëllimit të mesëm, shqipja kishte nevojë për një vepër më gjithëpërfshirëse, që të pasqyronte zhvillimet e reja leksikore, zgjerimin semantik dhe shtresëzimin stilistik të fjalës.
Rëndësia për leksikologjinë shqiptare është shumëpalëshe. Fjalorit të madh shërben si korpus i strukturuar për analizën e kuptimeve, marrëdhënieve semantike dhe frazeologjike, duke krijuar mundësi për studime të thelluara shkencore.Madje,rëndësia për leksikografinë shqiptare e kësaj vepre përfaqëson një model metodologjik, ku përvoja e mëparshme leksikografike kombinohet me kritere të reja përzgjedhjeje dhe përshkrimi të njësive leksikore.Për finalizimin e ti ishin një vistër vështirësish, përparësish dhe mangësish.Ndër përparësitë kryesore janë vëllimi, funksioni normativ dhe pasurimi i frazeologjisë. Mangësitë lidhen kryesisht me kufizimet e përfaqësimit
territorial dhe nevojën për konsensus më të gjerë shkencor.
7. Fjalori si institucion shkencor dhe akt normëzues
Kjo trajtesë e sheh Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe jo vetëm si arritje shkencore, por edhe si produkt të një procesi kompleks institucional. Ndërsa vepra synon të paraqitet si pasqyrë e leksikut mbarëkombëtar, procesi i hartimit të saj ngre çështje lidhur me
përfaqësimin e barabartë të hapësirave shqipfolëse dhe me rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional në standardizimin e gjuhës.
Në aspektin normativ, fjalori forcon standardin e shqipes, por njëkohësisht rrezikon të perceptohet si produkt i një qendre të vetme vendimmarrëse. Në aspektin informues, ai përfshin elemente nga dialektet dhe të folmet, por mbetet e diskutueshme nëse ky
përfshirje reflekton në mënyrë proporcionale gjithë larminë territoriale të shqipes. Krahasimi ndërmjet qasjeve institucionale në Shqipëri dhe Kosovë tregon se standardizimi i leksikut kërkon jo vetëm kompetencë shkencore, por edhe marrëveshje të qëndrueshme akademike. Në mungesë të tyre, edhe veprat madhore rrezikojnë të mbeten objekt debatesh më shumë sesa pika bashkimi.
Në gjuhësinë bashkëkohore, fjalori nuk është më thjesht një mjet referimi praktik, por një institucion shkencor i kodifikimit të gjuhës. Ai përfaqëson kulmin e ndërhyrjes së vetëdijshme shkencore në sistemin leksikor, duke përcaktuar jo vetëm kuptimet e
fjalëve, por edhe statusin e tyre normativ, stilistik dhe funksional (Hartmann & James 2002).
Në këtë kuadër teorik, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përfaqëson një akt normëzues me peshë të jashtëzakonshme. Çdo përzgjedhje, çdo përjashtim dhe çdo shënim stilistik në këtë fjalor është, në thelb, një akt autoritar mbi gjuhën. Prandaj, analiza e tij nuk mund të kufizohet vetëm në vlerësimin e përmasave dhe pasurisë së lëndës, por duhet të përfshijë edhe legjitimitetin e procesit normëzues.
8. Arritja leksikologjike: zgjerimi i horizontit të pasurisë leksikore
Nga këndvështrimi strikt leksikologjik, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përbën një arritje të padiskutueshme. Krahasuar me fjalorët e mëparshëm shpjegues, ai sjell:një zgjerim të ndjeshëm të fondit leksikor të regjistruar;një pasurim të strukturave kuptimore të
fjalëve;një përfshirje më sistemore të frazeologjisë;dhe një pasqyrim më të dukshëm të leksikut të shtresës pasive.
Në këtë aspekt, fjalori funksionon si një korpus i kodifikuar, i domosdoshëm për analizën semantike, për studimin e ndryshimeve kuptimore dhe për hulumtimin e dinamikës së leksikut shqiptar (Thomai 2021). Ai e konfirmon leksikologjinë shqiptare si disiplinë të konsoliduar dhe të aftë për projekte madhore.
9. Normëzimi leksikor dhe rreziku i absolutizimit të standardit
Funksioni normativ i fjalorit është një nga pikat e tij më të forta, por njëkohësisht edhe më problematiket. Në kushtet e një gjuhe pluricentrike në përdorim, siç është shqipja, normëzimi leksikor kërkon një ekuilibër delikat midis:standardit të kodifikuar;përdorimit real në hapësira të ndryshme shqipfolëse dhe traditës leksikore të shkruar dhe të folur.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, ndonëse deklaron se nuk vendos kufizime territoriale, mbetet kryesisht i orientuar nga një qendër e vetme normëzuese. Kjo krijon rrezikun e absolutizimit të standardit, ku norma nuk shihet si marrëveshje e hapur shkencore, por si produkt përfundimtar i një autoriteti institucional (Bugarski 2004).
10. Problemi institucional: standardizim pa konsensus
Pika më polemike e kësaj ndërmarrjeje lidhet me procesin institucional të hartimit.
Në traditën e gjuhësisë evropiane, fjalorët normativë kombëtarë zakonisht janë produkt i bashkëpunimit të gjerë akademik dhe ndërinstitucional (Atkins & Rundell 2008).
Në rastin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, mungesa e një konsensusi të plotë ndërmjet institucioneve kryesore shkencore shqiptare e vendos veprën në një pozitë të ndërlikuar: ajo është shkencërisht e fuqishme, por institucionalisht e kontestueshme.
Kjo situatë krijon një paradoks themelor: një fjalor që synon të jetë mbarëkombëtar, por që nuk është produkt i një marrëveshjeje mbarëkombëtare. Një standard i tillë rrezikon të perceptohet më shumë si normë e imponuar sesa si normë e pranuar.
11. Leksikografia si proces i hapur, jo si akt përfundimtar
Një tjetër problem thelbësor lidhet me konceptimin e fjalorit si vepër e mbyllur.
Leksikografia moderne e sheh fjalorin si proces dinamik, të përditësueshëm dhe të hapur ndaj kritikës shkencore (Svensén 2009).
Në këtë kuptim, çdo tentativë për ta paraqitur Fjalorin e Madh si “përmbushje përfundimtare” të nevojave leksikore të shqipes është teorikisht e pambrojtshme.
Përkundrazi, vepra duhet parë si bazë fillestare për debat, jo si pikë përfundimtare e standardizimit.
12. Vlerësim kritik: arritje madhore, por jo pa kosto
Duke e vlerësuar në tërësi, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një arritje kulmore e leksikologjisë shqiptare;një dëshmi e kapacitetit shkencor për projekte të mëdha;një mjet i pazëvendësueshëm për arsimin, kulturën dhe studimin e gjuhës.Por njëkohësisht ai është edhe një shembull i standardizimit të realizuar pa konsensus të plotë;një vepër që hap më shumë pyetje sesa i mbyll debatet;dhe një sfidë për të ardhmen e politikës gjuhësore shqiptare.
Përfundime
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përfaqëson një arritje madhore në historinë e gjuhësisë shqiptare. Ai është njëkohësisht mjet shkencor, instrument normativ dhe pasuri kulturore, që i shërben jo vetëm brezit të sotëm, por edhe atyre që do të vijnë.
Pavarësisht vështirësive dhe debatit shkencor që e shoqëron, një vepër e tillë mbetet themel i domosdoshëm për studimin, përdorimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe në të gjithë hapësirën e saj funksionale.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe shënon një moment historik në zhvillimin e leksikografisë shqiptare. Ai është një arritje e madhe shkencore, por edhe një provë se standardizimi i gjuhës nuk mund të jetë akt unilateral. Vetëm përmes bashkëpunimit të gjerë akademik dhe një dialogu të hapur shkencor, kjo vepër mund të shndërrohet nga burim polemikash në pikë reale bashkimi të gjithë hapësirës gjuhësore shqiptare.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përbën një gur themeli për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve gjuhësore dhe për përdorimin e qëndrueshëm të shqipes standarde.
Bibliografi
Atkins, B. T. Sue, and Michael Rundell. 2008. The Oxford Guide to Practical
Lexicography. Oxford: Oxford University Press.
Bugarski, Ranko. 2004. Language in the Social Context. Belgrade: XX Century Fund.
Hartmann, R. R. K., and Gregory James. 2002. Dictionary of Lexicography. London:
Routledge.
Svensén, Bo. 2009. A Handbook of Lexicography. Cambridge: Cambridge University
Press.
Thomai, Jani. 2021. Leksikologjia e gjuhës shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e
Shqipërisë.



