Caste poetike me Migel Flor

Migel Flor

Plagët

Plagët janë hartat e trupit dhe të trurit,
të vizatuara me thikë dhe me heshtje.
Dregëza të vjetra kullojnë ende,
gjak që “kruhet”
sa herë kujtimi zgjohet natën.

Shenja të qepura keq, pa anestezi,
të mbështjella me gënjeshtrën se “kalon”.
Arnime të shpejta mbi mish e mbi shpirt,
që çahen sërish nga një fjalë e vetme.

Plagët janë gozhdë të thella,
të ngulura në trup
dhe të karfosura në shpirt,
të gjakosura në zemër
si vrima që rrjedhin pa pushim.

Poshtë tyre jeton një shpirt i lodhur nga pritja,
që ka mësuar të dhembë pa zë.
Dhe një trup i veshur me: “ecim, s’ka gjë”,
si arkivol elegant përbrenda,
për shpresën që shpesh vdes.

Askush s’i lexon këto harta,
se dhimbja nuk u shkrua në legjenda.

“Të fituarit” mbi plagët rrinë zgjuar:
trupi i mban,
mendja i kruan,
shpirti nuk thyhet.

Secili sundon dhimbjen në mënyrën e vet,
dhe asnjë nuk fal,
asnjë nuk ikën.

Njëri hesht dhe gjakoset,
tjetri ulërin sikur t’i vrasin trurin,
i treti lutet pa zot.

E të paplagosurit
s’mund t’i kuptojnë plagët.

Në mbretërinë e tyre
jeta është vetëm luks.
Në timen,
plaga qeveris nga brenda
dhe ia mëson jetës sime
shmangien nga plumba të tjerë
dhe nga arna.