Fatmir Terziu -tregim

Fatmir Terziu
                                                                            Dashuria
                                                                             Tregim
Mbërritëm. Pritëm për tu thirrur. Udhëtimi kishte qenë aq i gjatë saqë koha, diku në mes të natës, hoqi dorë së maturi vetveten. Stacioni i fundit nuk kishte emër. Tabela ishte bosh. Dukej sikur dikush ta kishte fshirë qëllimisht. Një burrë me një pallto fosforeshente po sillej në platformë. Pa na pyetur, na bëri shenjë ta ndiqnim. Ishte mënyra e vetme për të vazhduar. Edhe pse na dukej se s’kishim mbërritur. Dhoma ku na futi ishte e ngushtë. Shtrati shumë i madh. Një disproporcion që na bëri të ndihemi fajtorë. U shtrimë menjëherë. Gjumi na zuri si një dënim i butë. Kur u futëm në një hapësirë të ndriçuar, nuk e dinim nëse kishte kaluar natë apo vit. E dinim se duhej të mos zgjonim njëri-tjetrin. E bëmë këtë me seriozitetin e dy të njohurve që përmbushin një detyrë të paqartë. Trupat tanë u njohën mes borës. U njohën pa na pyetur. Dhe nga ajo bardhësi dukej sikur të kishin hyrë më herët në zjarrin që prodhon vetëm dëbora.
Drita hyri në dhomë me ngurim. Hyri me të gjithë plotëfuqishmërinë e saj, duke kontrolluar çdo cep. Dhe, vetëm pasi u bind se ne ishim aty, u shpërnda mbi mobiljet dhe rrobat tona të hedhura. Në atë dritë, dashuria nuk u duk si ndjenjë. Dukej si një gjendje e përkohshme. Ne u ngritëm dhe iu afruam dritares lakuriq. Nuk kishim çfarë të fshihnim më. Jashtë, qyteti vazhdonte jetën e tij me një qetësi transparente. Deti qëndronte i shtrirë si një dokument i hapur. Anijet lëviznin ngadalë. Pulëbardhat thërrisnin me zë të lartë. Dallgët dukej sikur lexonin njoftime zyrtare. Pemët vallëzonin pa dëshirë. Njerëzit buzëqeshnin. Ishte gjest me mirësjellje? Nga aty në tërë atë bardhësi, e gjitha dukej si në një ceremoni që nuk na përkiste. Kuptuam se kishim mbërritur. Po nuk dinim se ku po ndodheshim. Pikërisht kjo na shqetësoi.
Pa e diskutuar, i dhamë njëri-tjetrit një betim. Nuk e shqiptuam. Betimi qëndroi mes nesh dhe ne premtuam me sy se do ta mbanim gjithmonë me vete. Sa më shumë përpiqeshim ta ruanim, aq më i pakuptueshëm bëhej. Dashuria u kthye në një detyrim që askush nuk na e kishte shpjeguar. Kur më në fund e thyem betimin, ndodhi pa zhurmë. Asnjëri nuk ishte i sigurt nëse e kishte thyer i pari, apo thjesht kishte vënë re se tjetri e kishte harruar. Ndjemë një lehtësim të frikshëm, si pas një gjyqi ku dënimi është hequr, por faji mbetet. U ndamë në të njëjtën dhomë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit. Të lirë dhe të dënuar njëkohësisht.
Që atëherë, dashuria më shfaqet si ai stacion pa emër. Një vend ku mbërrin pa arsye. Një institucion ku të kërkohet të betohesh pa e ditur për çfarë. Betim, nga i cili largohesh vetëm pasi ke kuptuar se faji yt i vetëm ishte se e more seriozisht edhe ëndrrën.