Elvira Zeneli
Një varg
Një zë, një fllad më vjen nga larg,
Puhizë e ëmbël sonte më ndjell,
Marr penën që të hedh një varg,
Ky varg i rrallë përjetë do ngelë.
Një varg si rreze që më afrohet,
E hedh të nxehtë përmbi fletë,
Fleta me petale zbukurohet,
Një varg shkrepëtime që zbret nga retë.
Dhe pushon ëmbël vargu mbi fletë,
Kjo fletë si një fushë lulëzon,
Ky varg si një rrëke shiu rrëshket,
Një varg që ëndrra të bukura zgjon.
E marr k’të varg të dëshiruar,
E ngre në qiellin e paanë,
Ky varg, oh, sa më kish munguar,
Ky varg si urë mes nesh më ngjan…



