Elvira Zeneli : Busulla e jetës dhe meditimi

Elvira Zeneli

Busulla e jetës dhe meditimi

Unë jetoj në mes të dy rrahjeve: asaj që jam dhe asaj që më thërret të bëhem. Midis këtyre dy brigjeve shtrihet shpirti im, i heshtur, i duruar, duke pritur çastin kur fjala pushon dhe fillon dëgjimi. Atje, në thellësinë ku mendimi tretet si mjegull mbi ujë, meditimi hap një portë të padukshme dhe më fton të hyj. Kur mbyll sytë, dëshirat nuk më shfaqen si kërkesa, por si dritë e butë. Ato nuk trokasin me zhurmë; rrjedhin ngadalë, si fryma që hyn e del, duke më mësuar se gjithçka që kërkon ngut, nuk është e shpirtit. Në heshtje, zemra më flet me një gjuhë të lashtë, dhe unë filloj të dalloj dëshirën që lind nga e vërteta ime, nga ajo që nuk kërkon miratim. Meditimi më mëson artin e dorëzimit. Jo si humbje, por si besim. Lëshoj kapjen, dhe në atë çast, universi më mban. Kuptoj se nuk jam e ndarë nga ajo që dëshiroj; jam toka ku fara pret shiun. Dhe shiu vjen gjithmonë në kohën e vet. Në këtë qetësi, mendimi bëhet lutje, ndjenja bëhet dritë, dhe veprimi merr formën e hapit të butë. Çdo zgjedhje e imja, e bërë pa frikë, bëhet një shenjë në rrugën e manifestimit. Jeta nuk më përgjigjet me zhurmë, por me shenja të vogla, me përputhje të heshtura që vetëm shpirti i vëmendshëm i dallon. Dëshirat e mia nuk janë boshllëqe për t’u mbushur, por thirrje për t’u zgjuar. Ato më çojnë drejt vetes, drejt asaj drite që gjithmonë ka qenë aty. Dhe kur më në fund ndalem së kërkuari me ankth, kuptoj: universi nuk ka nevojë të bindet. Ai hapet vetë, sapo unë mësoj të dëgjoj. Në fund, gjithçka kthehet te fryma. Ajo hyn, ajo del. Dhe mes saj, unë bëhem ajo që kam kërkuar.