Caste poetike me Emine Hoti

Emine Hoti

ADEM JASHARI

Adem Jashari heroi dardan,
monument qëndrese në botë,
lirinë kish të dashurën e zemrës,
me veprën e tij bëri epokë.

Adem Jashari legjendar,
sot kushtrim për çdo shqiptar,
jetën e tij i fali atdheut,
zemërluani atdhetar.

Ka njohur bota familje heronjsh,
me trima të shquar e atdhetarë,
si Jasharajtë s`gjen kund tjetër,
në të gjithë globin mbarë.

Në Drenicë e gjithë familja,
mbrojtën kullën legjendare,
mbrojtën vatrën e të parëve,
nga mizoria serbomadhe.

Ato ditë të stuhishme,
u derdhën lumenj gjaku,
flakë e zjarr zemrat dardane,
nga i vogli gjer te plaku.

Lum si ti, o kombi ynë,
për luanët që ke lindur,
i tregove botës mbarë,
Dardaninë e rilindur!

U shndërruat në legjenda,
i thatë serbit: ndal, or ndal,
shtëpitë tona janë kështjella,
për lirinë s`bëjmë pazar!

Kombi ynë ju ka flamur,
jeni në ballë të historisë,
ju heronj dhe heroina,
flamurtarë të lirisë.