Emine S. HOTI
7 MARSI
7 Marsin i gjithë populli e feston,
është dita e mësuesve zemër bukur,
është dita e gjuhës, e shkollës shqipe,
është dita kur ndihemi të lumtur.
Në këtë ditë të bukur të arsimit shqiptar,
kujtojmë veprën e mësuesve atdhetarë,
veprën e dëshmorëve të gjuhës shqipe,
që bënë sakrifica për arsimin kombëtar.
Vepra e tyre ndrit sot në shkollat tona,
ata zbuan errësirën, sollën dritë e dituri,
të shenjtë e hyjnorë janë emrat e tyre,
ndaj çdo 7 Mars i kujtojmë me dashuri.
Gëzojnë mësues, nxënës e studentë,
sidomos fëmijët më të shtrenjtit tanë,
vajza edhe djem, nipër edhe mbesa,
mësueset e mësuesit në zemra kanë.
Gëzuar 7 Marsin mësues të dashur,
populli ynë ju shpreh falënderime,
ju jeni luftëtarët e dritës e të dijes,
jeni burime drite, ju sillni zhvillime.
8 MARSI
8 Marsin e përkujtojmë me nderim,
për atë ditë shumë gra sakrifikuan,
bija të planetit tonë të kaltër,
më shumë të drejta na dhuruan.
Kemi vuajtur në shekuj ne gratë,
jetën me mundim kemi përballuar,
me njëra-tjetrën jemi lidhur ngushtë,
për emancipim e të drejta kemi luftuar.
Kemi nderuar veten dhe familjet,
fëmijët kemi edukuar dhe mësuar,
vajzat, djemtë, nipërit dhe mbesat,
me ata, ardhmërinë kemi garantuar.
Në këtë ditë pranvere, më 8 Mars,
ngrihet zëri për ty, o vyera grua,
ti je dritë, që Zoti i fali njerëzimit,
je xhevahir që s’ka të çmuar.
Ti zhvillon jetën njerëzore,
rrit të vegjlit me duar të ngrohta,
ti e mban familjen të fortë si kala,
pa ty, s`do të ekzistonte bota!


