Mbrëmje poetike me vargjet e Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

Këmisha e buzëqeshjes sate

Këtë mbrëmje
vesha këmishën e buzëqeshjes sate.
Jo çdo “e dashur” di
të qepë trille kaq të brishta mbi një zemër.

Ajo u shqep ngadalë
dhe prej saj doli trupi im,
i fshehur aty brenda prej kohësh,
si një mendim që kërkon të bëhet frymë.

Ti nuk më bëre dot të qesh
sado u përpoqe këtë mbrëmje;
kurrë s’kisha veshur një këmishë kaq të rëndë,
as një heshtje kaq të thellë sa e jotja.

Sepse dashuria, ndoshta,
është vetëm një mënyrë për t’u zbuluar
lpara shpirtit të tjetrit,
pa frikë nga nata që na rrethon.

Dhe në errësirën që mbeti mes nesh
pashë një dritë të vogël në sytë e tu;
e vesha sërish buzëqeshjen sate mbi lëkurë,
si një përqafim që më mëson çdo natë të rilind.