Përgatiti: Gladiola Jorbus: Përballë Biblës së Djallit – një udhëtim në zemër të misterit, historisë dhe alteregos njerëzore

Përgatiti: Gladiola Jorbus
Përballë Biblës së Djallit – një udhëtim në zemër të misterit, historisë dhe alteregos njerëzore

Nuk e kisha menduar kurrë se një libër mund të më trondiste. Librat zakonisht i mbajmë në duar, i shfletojmë me lehtësi apo i mbyllim kur na lodhen sytë. Por kur hyra në sallën e errët të Muzeut Mbretëror të Stokholmit dhe pashë ‘’Codex Gigas’’, të njohur ndryshe si ‘’Bibla e Djallit’’ kuptova se ky nuk ishte një libër. Ishte një prani, një monument a një frymë e ngrirë në pergamenë.
Në atë çast, ndjeva një përzierje emocionesh: kureshtje, respekt, një lloj frike të butë dhe një ndjesi të çuditshme sikur po shkelja në territorin e një sekreti të lashtë. Xhami i trashë që e mbronte nuk ia zbehte aspak fuqinë, përkundrazi e bënte më të paarritshëm, më të shenjtë, ndoshta më enigmatik.
‘’Codex Gigas’’ mbetet një libër që sfidon trupin dhe mendjen. Ai u shkrua në fillim të shekullit XIII, rreth viteve 1220–1230. Kjo periudhë është e konfirmuar nga analizat paleografike dhe historike të dorëshkrimit. Kur lexova tabelën informuese, u shtanga edhe më shumë. Libri peshon rreth 75 kg, është 92 cm i lartë, 50 cm i gjerë dhe përmban 310 fletë pergamene. Më goditi fakti se për të krijuar këtë dorëshkrim janë
përdorur lëkurat e 160–180 viçave.
Vetë materiali i tij është një kujtesë e ashpër e kohës kur u krijua, një epokë ku dijet dhe sakrificat ecnin dorë për dore.
Gjenden edhe dy ilustrime që paraqesin Qiellin dhe Tokën gjatë Krijimit: rrathë blu dhe të gjelbër që përmbajnë diellin, hënën dhe disa yje, si dhe një planet të mbuluar tërësisht nga deti.
Dhe pastaj, mendimi që ky libër është shkruar nga një njeri i vetëm më la pa fjalë.
Sipas legjendës, kodiku u krijua nga Hermann Inclusus në manastirin benediktin të Podlažice pranë Chrastit në Bohemi (në territorin e sotëm të Republikës Çeke). Studiuesit thonë se autori ka punuar rreth 20-30 vjet, pa ndryshuar stilin e shkrimit pa luhatje në presionin e penës. Një jetë e tërë e shkrirë në një vepër të vetme. Një përkushtim që sot duket i pamendueshëm.
Por ajo që e bën ‘’Codex Gigas’’ të famshëm nuk është vetëm madhësia, por legjenda që e ndjek. Historia e murgut që u dënua të murosej i gjallë për shkeljen e rregullave të manastirit. Ai premtoi se do të shkruante librin më të madh të botës brenda një nate. Kur e kuptoi se ishte e pamundur, thonë se thirri Djallin të cilit i shiti shpirtin. Dhe në shenjë falënderimi, vizatoi figurën e tij në një faqe të tërë, pikërisht
në faqen 290.
Kur u afrova tek ajo faqe, ndjeva mornica në shpinë. Djalli i vizatuar aty nuk është karikaturë. Nuk është alegori. Është një figurë e madhe, e zhveshur, e heshtur, e vendosur në një hapësirë të zbrazët, që të sheh drejt e në sy. Nuk është e vështirë të kuptosh pse njerëzit e mesjetës e quanin këtë libër të mallkuar. Kur qëndron para librit, të zë një ndjesi e çuditshme. Nuk është thjesht madhësia.
Është ideja se dikush, shekuj më parë ka kaluar dekada duke shkruar çdo rresht me dorë, duke përzier bojën, duke përgatitur pergamenën, duke vizatuar figurat. Dhe pastaj, në mes të gjithë këtij solemniteti fetar, shfaqet figura e Djallit, e vetmuar, e madhe, e errët. Ajo faqe të jep një tronditje të lehtë, një ndjesi sikur po sheh diçka që nuk duhej të ishte aty. Është një kontrast i fortë mes dritës së teksteve biblike dhe
errësirës së ilustrimit demonik.
Por studiuesit modernë e kanë çmitizuar historinë e paktit me Djallin. Analizat e shkrimit, pigmentit dhe pergamenës tregojnë qartë se libri është produkt i një pune të gjatë, të durueshme dhe krejt njerëzore. Pavarësisht emrit të frikshëm, ’’Codex
Gigas’’ është kryesisht një vepër fetare dhe enciklopedike. Ai përfshin:
 Të gjithë Biblën Vulgata (versioni latin)
 Kronikën e Bohemisë nga Cosmas of Prague
 Tekste mjekësore
 Rituale magjike, lutje dhe rregulla manastiri
 Kalendare dhe lista të shenjtorëve
Pra, në thelb Codex Gigas është një enciklopedi e shekullit XIII, një përmbledhje e dijes së kohës, një bibliotekë e tërë e futur në një libër të vetëm.
Por edhe pse shkenca e shpjegon, misteri nuk zhduket. Sepse misteri nuk qëndron te origjina, por te përmasat, te përkushtimi, te ilustrimi i pazakontë i Djallit, te fakti që ky libër u ka mbijetuar luftërave, zjarreve, shekujve të tërë. ’’Codex Gigas’’ u mor nga ushtria suedeze në vitin 1648, gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare, kur trupat e mbretëreshës Kristina plaçkitën bibliotekën e kështjellës së Pragës. Libri u
transportua në Stokholm si trofe lufte, së bashku me qindra dorëshkrime dhe artefakte të tjera. Që prej asaj kohe, ai u bë pjesë e koleksionit mbretëror dhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Suedisë.
Në muze, ’’Codex Gigas’’ qëndron i shtrirë në një kuti të madhe xhami, me temperaturë dhe lagështi të kontrolluar. Drita është e zbehtë dhe e filtruar, për të mos dëmtuar pigmentet. Askush nuk e prek dot. Askush nuk e kthen faqen. Librat e tillë
nuk hapen më shpesh se disa herë në dekadë.
Dhe ndërsa e shikoja, më dukej sikur po shihja jo vetëm një objekt, por një dëshmi të gjallë të asaj që njeriu është i aftë të krijojë, kur përkushtohet deri në ekstrem. Kur dola nga muzeu, nuk ndihesha më e njëjta. Nuk ishte thjesht një vizitë kulturore.
Ishte një takim me një pjesë të errët dhe të ndritshme të njerëzimit njëkohësisht.
’’Codex Gigas’’ më kujtoi se misteret nuk zhduken edhe kur i shpjegon, sempërkushtimi njerëzor mund të krijojë vepra që sfidojnë shekujt, se frika dhe admirimi shpesh ecin krah për kra. Së fundmi historia është më e gjallë, kur e sheh me sytë e tu Legjenda e Biblës së Djallit (Codex Gigas) ka humbur shumë nga fuqia e saj mistike dhe sot shihet më tepër si pjesë e një zhanri letrar. Manastiri ku ruhej fillimisht
libri gjigant, u përball me falimentim dhe për të shmangur shkatërrimin, ia shiti dorëshkrimin një manastiri tjetër pranë Pragës. Edhe ky manastir pësoi vështirësi financiare dhe gjatë një epidemie murtaje që vrau dhjetëra mijëra njerëz, e ktheu
librin te pronarët e parë.
Mendohet se Bibla e Djallit qëndroi aty deri në vitin 1594, kur perandori Rudolf II i fiksuar pas okultizmit, e huazoi përjetësisht. Por me kalimin e viteve, Rudolfi u bë antisocial, paranojak dhe pësoi çrregullime mendore derisa u detyrua të abdikonte. Ai vdiq i vetëm, pa familje, pa aleatë dhe pa trashëgimtarë.
Librat nuk janë vetëm fjalë. Disa libra janë pasqyra. Disa janë paralajmërime. Disa janë monumente. Kurse ’’Codex Gigas’’ është të trija njëherësh.