Gjelina Maçi Keçi
GRUA , MOS QOFSH GJETHE VJESHTE !
Si mund të ngresh dorë mbi një grua
Kur në krah të saj ti u bëre burrë?
Sa here në jetë i the e të tha “Të dua “
Sikur ke në vend të zemrës vetëm një gur .
Si mund të vritet ajo që jetë fal në përjetësi?
Është qenie e brishtë, por si stuhi e fortë
Ajo që botën tënde e përkund me dashuri
Është qëllimi më i bukur i jetës në tokë .
O dhimbje, hesht ligji, heshtim edhe ne
Vriten gratë shqiptare si pa të keq përditë
Në qiell të hapur goditen si rrufe
Burrat jetës së tyre shpesh i bëjnë pritë.
Në vendin tënd e në vendin tim
Gruaja mos qoftë një gjethe vjeshte
Të vrasësh atë është më i madhi krim
Edhe pse dikur shumë e deshe .
Në vendin tënd e në vendin tim
Nëse dhunën dikush e kundërshton
Robërimi njerëzor bëhet detyrim
E vetëm me jetë gruaja atë e pagon.
Në vendin tënd e në vendin tim
T’i vrasësh nënën nuk është asgjë
Krejt normale të lesh fëmijën jetim
Jeta të pritet në mes, po bëre zë.
Femër; ti botën e madhe mban në duar
Ndaj mos tolero dhunën mbi ty kurrë
Nuk je lindur për t’u vrarë e masakruar
Ai që dorën ngre mbi ty, nuk është burrë.



