Nga Gladiola Jorbus: Dashuritë e ndaluara: shoqëria i paragjykon, arti i përjetëson

Nga Gladiola Jorbus

Dashuritë e ndaluara: shoqëria i paragjykon, arti i përjetëson

Dashuritë e ndaluara lindin midis dëshirës, rrezikut dhe kufijve të shoqërisë.
Dashuria në vetvete është një nga forcat më të fuqishme që lëviz njeriun, por jo çdo dashuri gjen terren të lirë për t’u rritur e zhvilluar. Në çdo epokë dhe në çdo kulturë kanë ekzistuar dashuri që shoqëria i ka emërtuar “të ndaluara”: marrëdhënie që sfidojnë normat, traditat, ligjet apo pritshmëritë morale. Megjithatë, pikërisht këto histori konsiderohen të paharrueshme.
Dashuritë e ndaluara lindin në ato situata ku:
Normat shoqërore vendosin kufij të fortë (fe të ndryshme, arsye kulturore, klasa të ndryshme shoqërore).
Rregullat morale përplasen me dëshirat personale (tradhtia, marrëdhëniet e fshehta).
Në thelb, dashuria quhet e ndaluar sepse dikush tjetër apo një grup shoqëror vendos (pothuajse në mënyrë arbitrare) që dy persona nuk duhet të jenë bashkë.
Por harrojnë se sa magnetike mund të jetë e ndaluara. Sa më shumë që diçka duket e pamundur, aq më shumë rritet dëshira për ta shijuar atë. Psikologët e quajnë këtë “efekti i frutit të ndaluar”: kur diçka na mohohet, vlera e saj rritet fuqishëm në vetëdijen tonë.
Dashuritë e ndaluara janë të forta emocionalisht, të rrezikshme, pasionante dhe të pamundura për t’u harruar. Ndoshta sepse karakterizohen nga sakrifica, rreziku dhe guximi, sfida që dashuritë e miratuara nga familja apo shoqëria, përgjithësisht nuk i hasin.
Personat që përfshihen në dashuri të ndaluara jetojnë mes dy botëve dhe vuajnë një konflikt të brendshëm. Nga njëra anë, ata i vënë veshin botës së ndjenjave, ku gjithçka duket e drejtë dhe e natyrshme. Nga ana tjetër frikësohen nga pasojat e rënda apo të egra që mund t’i kushtojë mosrespektimi i normave sociale apo i asaj që konsiderohet e moralshme.
Kjo përplasje krijon tension emocional, ndjenjë faji, ankthi dhe frike, por edhe një intensitet që e bën lidhjen të paharrueshme. Dashuritë e ndaluara janë një nga motivet më të fuqishme të letërsisë botërore. Ato lindin në kufijtë e asaj që shoqëria lejon dhe asaj që zemra kërkon. Pikërisht për këtë arsye, ato mbeten histori unike sepse përballin njeriun me rregullat, moralin, fatin dhe vetveten.

Letërsia, opera dhe mitologjia na japin shembuj të shumtë, ku dashuria bëhet një akt rebelimi, një sakrificë ose një tragjedi e pashmangshme.
Romeo dhe Zhuljeta – dashuria e ndaluar nga fisi Shembulli më i njohur i dashurisë së ndaluar është ai i Romeo dhe Zhuljetës. Dy të
rinj që duhen në një botë ku mbizotëron urrejtja e dy familjeve. Këtu dashuria përplaset me hakmarrjen, me krenarinë e fisit, me një traditë që nuk njeh falje.
Historia e tyre është një thirrje e përjetshme kundër paragjykimeve që shkatërrojnë jetët e njerëzve të pafajshëm.
Ana Karenina – dashuria që sfidon moralin dhe shoqërinë
Në romanin me të njëjtin titull të Tolstoit, protagonistja Ana Karenina bie në dashuri me Vronskin, duke sfiduar normat e një shoqërie aristokrate ku gruaja duhej të ishte ishërim i moralit. Dashuria e saj është e zjarrtë, por e dënuar nga
rrethanat. Shoqëria e përjashton, e gjykon, e poshtëron, derisa ajo thyhet nën peshën e fajit dhe të vetmisë. Kjo histori tregon se dashuritë e ndaluara shpesh nuk janë vetëm çështje ndjenjash, por edhe beteja me strukturat e pushtetit dhe moralit.
Në fund Ana Karenina vret veten.
Ema Bovari – dashuria si arratisje nga realiteti Ema Bovari kërkon një dashuri që nuk e gjen në martesën e saj të zbehtë. Ajo
kërkon pasion, aventurë, një jetë që i duket më e bukur se realiteti. Marrëdhëniet e saj të fshehta janë një formë rebelimi kundër monotonisë së jetës provinciale. Por ëndrrat romantike përplasen me realitetin e ashpër, duke e çuar drejt një fundi tragjik. Ema Bovari gjen vdekjen përmes vetëvrasjes. Dashuria e saj e ndaluar është një pasqyrë e dëshirës njerëzore për të jetuar më shumë se sa i lejohet.
Aida dhe Radames – dashuria e ndaluar nga lufta dhe detyra Në operën e Verdit ’’Aida’’, një princeshë etiopiane, e shndërruar në robinjë dhe
Radames, komandanti egjiptian bien në dashuri me njëri-tjetrin. Por dashuria e tyre është e pamundur: ata i përkasin dy kombeve në luftë. Radames duhet të zgjedhë mes detyrës ndaj atdheut dhe dashurisë për Aidën. Aida duhet të zgjedhë mes dashurisë dhe besnikërisë ndaj popullit të saj. Kjo dashuri e ndaluar është një nga më të fuqishmet në art, sepse përplaset me forca të mëdha historike: luftën, pushtetin, identitetin. Fundin e tyre tragjik e vulos fakti se dashuria nuk mund të mbijetojë, kur bota është e ndarë në armiqësi.

Gjinevra dhe Lanceloti – dashuria e ndaluar nga nderi dhe besnikëria

Në legjendat arturiane, Gjinevra është mbretëresha e bukur e Mbretit Artur, ndërsa Lanceloti është kalorësi i tij më besnik. Dashuria e tyre është e ndaluar jo vetëm nga martesa, por edhe nga kodi i nderit të kalorësisë.
Kjo histori është një nga më të ndërlikuarat: dashuria e tyre është e vërtetë, por ajo shkatërron mbretërinë, miqësinë dhe idealet e një epoke të tërë. Këtu dashuria e ndaluar nuk është vetëm një çështje zemre, por një akt që ndryshon fatin e një mbretërie.
Helena dhe Paridi – dashuria e ndaluar që ndezi një luftë Në mitologjinë greke, dashuria e Helenës dhe Paridit është një nga shembujt më
dramatikë të dashurisë së ndaluar, sepse pasojat e saj nuk prekën vetëm dy njerëz, por fatin e krejt botës antike. Helena, gruaja më e bukur ishte e martuar me
Menelaun, mbretin e Spartës. Paridi, princi i Trojës, e rrëmben (ose ajo ikën me të, sipas disa varianteve), duke sfiduar jo vetëm martesën, por edhe nderin, besën dhe aleancat politike të kohës. Kjo dashuri e ndaluar nuk është thjesht një histori pasioni; ajo bëhet shkak për Luftën e Trojës, një konflikt dhjetëvjeçar që përfshin perëndi, heronj dhe kombe të tëra. Helena dhe Paridi mishërojnë idenë se dashuria mund të jetë aq e fuqishme sa të thyejë ligje, të shkatërrojë mbretëri dhe të ndezë luftëra. Në këtë mit, dashuria e ndaluar nuk është vetëm një çështje zemre, por një forcë që ndryshon rrjedhën e historisë antike.
Në traditën shqiptare, dashuria shpesh përplaset me kanunin, me zakonet e forta të fisit. Vajza që nuk mund të zgjedhë vetë, djali që nuk mund të martohet me vajzën e fisit armik. Këto janë histori të njohura në traditën e folklorin tonë. Historitë e ndaluara na prekin kaq shumë, sepse ato tregojnë se zemra nuk njeh kufij dhe tragjeditë lindin, kur bota nuk lejon atë që është njerëzore.
Dashuritë e ndaluara janë pasqyrë e konfliktit të përjetshëm midis dëshirës dhe detyrimit, midis lirisë dhe rregullit, midis individit dhe botës. Letërsia dhe arti i kanë glorifikuar këto histori, jo sepse janë të përkryera, por sepse janë njerëzore, të brishta, të guximshme dhe të mbushura me emocione të papërmbajtshme.
A ia vlen një dashuri e ndaluar? Kjo është pyetja që kushdo mund t’ia bëjë vetes. Pjesa dërrmuese e dashurive të ndaluara përfundojnë në tragjedi, një numër i papërfillshëm në lumturi të fshehtë, e disa të tjera shndërrohen në plagë që nuk mbyllen kurrë. Por një gjë është e sigurt: dashuritë e ndaluara na kujtojnë se zemra ka arsyet e veta, nuk njeh rregulla dhe se njeriu është gati të sfidojë gjithçka, për hir
të një ndjenje tronditëse.